Ferizaj

Aliu-Mason: Bisedohet për praktikat në luftimin e terrorizmit dhe gjuhës së mediave për këtë temë

By FerizajPress

September 07, 2018

Ferizaj. 07.09.2018. Terrorizmi fenomen i përmasave globale po merr trajtë veprimi edhe në nivelin lokal. I pari i Ferizajt, Agim Aliu pasditen e sotme bashkë me drejtorë komunal dhe stafin e tij ka pritur në takim zonjën Debra Mason, profesoreshë e gazetarisë në Universitetin e Missourit në SHBA dhe përfaqësues nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

Temë e diskutimit në këtë takim ishte shkëmbimi i praktikave të mira të trajtimit të fenomenit të terrorizmit në raportimet mediale si dhe roli i institucioneve lokale në përmirësimin e raportimeve mediale dhe ndërmarrjen e veprimeve institucionale në lidhje me religjionin.

Profesoresha Mason shpjegoi në hollësi se si ky fenomen trajtohet nga gazetaria amerikane dhe kujdesi i shtuar që tregohet në këto raportime. Ajo theksoi se në SHBA ka mbi 300 gazetarë të specializuar në raportimin e temave religjioze. Ndër të tjera, zonja Mason paraqiti praktikat e aplikuara në vendin e saj sidomos masat që merren në sistemin e edukimit përkitazi me këtë temë.

Në anën tjetër edhe Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu paraqiti një gjendje të përgjithshme dhe masat e marra në nivel lokal përkitazi me këtë problematikë. Theksin i pari i Ferizajt e vuri tek bashkëpunimi i mirë i institucionit të Komunës me klerin fetar dhe aktivitetet vetëdijësuese që janë realizuar dhe po realizohen për këtë çështje. Ai falënderoi miken amerikane dhe përfaqësuesit e ambasadës së SHBA-ve për gjithë kontributin ndër vite për Ferizajn e Kosovën.

Edhe të pranishmit tjerë parashtruan pyetje dhe paraqiten sfidat me të cilat ballafaqohen institucionet shtetërore në këtë drejtim.