Ferizaj

Aliu: Ferizaj me 2.5 milionë euro më shumë buxhet në 2020-tën

By FerizajPress

June 18, 2019

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu shpalos dhjetëra projekte të buxhetuara në Kornizën Afatmesme Buxhetore

Në ambientet e Kuvendit të Komunës, me prezencën e qytetarëve, përfaqësuesve të shoqërisë civile, mediave dhe grupet të tjera të interesit, i pari i Ferizajt, Agim Aliu bashkë me drejtorët e drejtorive komunale mbajti diskutimin publik për 6 mujorin e parë të qeverisjes në vitin 2019 si dhe Kornizën Afatmesme Buxhetore 2020-2022.

Duke theksuar rëndësinë e të gjitha projekteve të nisura gjatë kësaj periudhe por edhe më parë, siç janë hapja e Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, kyçja në autostradën “Arbën Xhaferi” respektivisht dy projektet strategjike infrastrukturore siç janë rikonstruktimi i rrugës nga ura në Bibaj deri tek kyçja në autostradë dhe asfaltimin e të gjitha rrugëve në Jezerc, funksionalizimi i Varrezave të Reja të Qytetit, hapja e Qendrës së Përkujdesit për Fëmijët e Margjinalizuar, bashkëpunimi i shkëlqyeshëm me biznese që ka rezultuar me hapjen e mbi 500 vendeve të reja të punës, subvencionimi i bizneseve në kuadër të programit të Fondit të Punësimit, ulja e tatimit në pronë nga baza tatimore prej 10%, procedimi i rregullores së re komunale për përcaktimin e orarit të punës së veprimtarive afariste, përafrimi i procedurës për funksionalizimin e zonës ekonomike, afro 5 milionë euro investime në projekte kulturore e sportive të financuara nga MKRS, zhbllokimi i procesit të pritur gjatë për zgjedhjen e kryetarëve të fshatrave dhe zonave urbane, progresi më i lartë në nivel republike për hartimin e hartës zonale dhe grantet e përfituara nga shumë mekanizma institucional dhe rajonal, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu tha se buxheti i vitit 2020 është për 8.71% më i lartë sesa vitit aktual apo shprehur në shifra mbi 2.5 milionë euro më shumë.

Njëkohësisht, në këtë diskutim publik, i pari i Ferizajt ,Agim Aliu vuri thekset tek projektet e afërta, siç janë ato paraprijëse të ndërtimit të impiantit të ujërave të zeza, siç janë ndërtimi i kolektorit verior të kanalizimit fekal prej fshatit Talinoc i Muhaxherëve deri në Rahovicë, përfundimin e ciklit të investimeve në programin e përmbylljes së infrastrukturës rrugore dhe nëntokësore, ndërtimin e kolektorit veri – perëndimor për përfshijen e kanalizimit të fshatrave Koshare, Slivovë, Kosinë, Tërrn, Bablak, ujësjellësin në fshatin Sojevë, Dardani, Zllatar, asfaltimin e rrugës “Agim Ramadani” në zonën rekreative-sportive si dhe rregullimin e parkut tek Varrezat e Reja të Qytetit, pa u kufizuar dhe mbetur vetëm këto, e dhjetëra projektet të tjera me ndikim direkt tek qytetarët dhe jeta e tyre.