Qyteti i Ferizajt është një ndër qytetet më të zhvilluara në Kosovë sa i përket projekteve infrastrukturore e urbanistike. Pavarësisht situatës së rënduar me Covid-19 në këtë komunë është punuar vazhdimisht në aspektin e realizimit e projekteve të planifikuara.
Para pak ditësh është vënë gurëthemeli i objektit të stacionit të autobusëve në Ferizaj, kurse i pari i kësaj komune Agim Aliu, dha informacione për Kosova Post në lidhje me zhvendosjen e objektit. Ai tha se ky projekt vizionar është i shumëpritur dhe synon zgjidhje në aspektin e qarkullimit urban.
“Është një ndër projektet e veçanta. Ferizaj bënë pjesë në grupin e qendrave të mëdha, mirëpo që s’kishte planifikim të mirëfilltë urban, prandaj ne me vizionin, guximin, por edhe me bashkëpunimin e këshillit të ekspertëve, me kohë kemi përgatitu projektet. Të gjitha këto projekte të cilat i kemi zhvilluar në qendër, do të ishin të paplotësuara pa komponentin kryesor, pra fjala është për zhvendosjen e stacionit të autobusëve, për faktin se në vendin ku është aktualisht ka ndikuar të ketë një lloj kaosi urban por edhe kaos në kuptimin e qarkullimit të transportit dhe mjeteve të ndryshme”, tha Aliu duke treguar edhe për shumën që prek fazën e parë të punimeve të projektit i cili krijon lehtësim edhe për qytetarët edhe për transportuesit urban.
“Ne kemi parashikuar që të ketë një zhvendosje dhe dje kemi filluar fazën e parë të ndërtimit të objektit, është një projekt dy vjeçar, në fazën e parë ky projekt kushton gjysmë milioni euro por nuk është vlera tek parat sa është të zgjidhja urbane”, është shprehur kryetari.
“Bashkimi i qytetit”, projekt i jashtëzakonshëm në qytetin e Ferizajt
I pari i Ferizajt nuk lë pa përmendur edhe projektet e tjera për të cilat po punohet vazhdimisht deri në arritjen e finalizimit, pavarësisht situatës së rënduar me Covid-19, dhe problemeve financiare.
“Projekt tjetër unik në nivel të Kosovës, është edhe bashkimi i qytetit projekt i jashtëzakonshëm, i cili ka arritur shkallën 75 përqind të realizmit kurse 25 përqind mbetet që gjatë këtij viti të realizohet dhe të funksionalizohet, por e dimë që situata me pandeminë ka shkaktuar disa problem financiare që kanë të bëjnë me mbulesën financiare. Ne kemi pasur dy shkurtime buxhetore shkurtimi parë i cili ka ndodhur me ligjin për buxhetin, ndërsa tash me rishikimin e buxhetit për arsye të pakove emergjente që duhen për nevoja të Covid-19 por ne nuk duhet të ndalemi”, shtoi Aliu për Kosova Post.
Përveç punimeve në qytet, në Ferizaj është punuar vazhdueshëm edhe nëpër fshatrat e Komunës të cilat sipas Aliut tanimë janë në fazën përmbyllëse.
“Qeverisja jonë ka punuar që sa më shumë të ketë projekte në qytet pa lënë anash edhe fshatrat sepse ato janë duke u përmbyllur sa i përket infrastrukturës qoftë me kanalizim qoftë me ujësjellës dhe me infrastrukturën rrugore” deklaroi ai.