Ferizaj.25.01.2018. Kryetari Aliu priti në takim Kryetarin e Komunës së Shtimes dhe njëherit Kryetarin e Asociacionit të Komunave të Kosovës, Naim Ismajli.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu ka pritur në takim Kryetarin e Komunës së Shtimes dhe njëherit Kryetarin e Asociacionit të Komunave të Kosovës, Naim Ismajli. Në këtë takim janë diskutuar një mori çështjesh që kanë të bëjnë me raportet ndërkomunale si dhe projektet e përbashkëta të synuara për t’i realizuar në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK).
Kryetari Ismajli ka uruar kryetarin Aliu për mandatin qeverisës duke i dëshiruar suksese në realizimin e platformës së tij qeverisëse për Ferizajn, me ç’rast theksoi se edhe Komuna e Shtimes është e gatshme të implementoj bashkërisht me Komunën e Ferizajt, projekte që kanë impakt në përmirësimin e jetës së qytetarëve në të dy komunat. Në këtë takim, u vu theksi edhe tek bashkëpunimi në kuadrin rajonal, në Asociacionin e Komunave të Kosovës, për të cilin kryetari Aliu tha se është një mundësi e mirë për të zgjeruar promovimin e një kulture të re qeverisëse, praktika më të mira të menaxhimit lokal si dhe investime të përbashkëta në rajonin e Ferizajt.
Komuna e Ferizajt është e vendosur të thelloj bashkëpunimin me komunat fqinje për të konsoliduar një raport të qëndrueshëm në planin e investimeve dhe ndërveprimit komunal.