Ali Ahmeti: Burri i heshtur i politikës maqedonase

By FerizajPress

August 03, 2016

Nga Sinisa Jakov Marusic, Darko Duridanski, BIRN

Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, BDI, partia më e madhe që përfaqëson shqiptarët etnikë në Maqedoni, është kritikuar prej kohësh për bindjen e thellë ndaj kryeministrit Nikola Gruevski.

Vendimi i Ahmetit për të mos u përzier me skandalin e përgjimeve masive që çoi Maqedoninë në krizën ende të pazgjidhur politike ka ngritur gjithashtu shqetësime. Me të larguarit e BDI që i bashkohen partive të reja opozitare, pozicioni i Ahmetit si lider i bllokut shqiptar po vihet në provë.

I lindur në vitin 1959 në fshatin Zajas në Maqedoninë perëndimore, Ahmeti ka qenë aktiv në lëvizjet nacionaliste shqiptare në rajon që nga vitet 1980. Ai kaloi një vit në burg pas arrestimit për pjesëmarrje në protestat studentore shqiptare në vitin 1981 në Prishtinë, ku po studionte filozofi.

Nga viti 1986 deri në 2001 ai jetoi në Zvicër, ku fitoi azil politik. Ndërsa jetonte atje, ai ishte pjesë e Këshillit për Lëvizjen Kombëtare të Çlirimit të Kosovës.

Më vonë ai u bë një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, që iu dedikua dhënies fund të sundimit serb në Kosovë përmes luftës së armatosur. Në 1998, ai iu bashkua stafit drejtues të UÇK.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë në vitin 1999 ai u kthye në Maqedoni, ku konflikti etnik ziente gjithashtu. Ai u bë udhëheqës i një kryengritjeje shqiptare të quajtur Ushtria Çlirimtare Kombëtare, që rrëmbeu armët në vitin 2001.

Ahmeti u bë komandant politik në ushtri, e cila ndërmori një kryengritje gjashtë-mujore për të siguruar të drejta më të mira për shqiptarët e Maqedonisë, të cilët përbëjnë një të katërtën e popullsisë së vendit.

Atë vit, SHBA e kategorizoi Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare si organizatë terroriste dhe në qershor 2001 Ahmeti ishte futur në listën e zezë të njerëzve të padëshiruar në SHBA, Zvicër dhe vende të tjera.

Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit në vitin 2001, një marrëveshje paqeje e ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët që i dha fund kryengritjes, ish-luftëtarët formuan partinë e tyre politike, BDI, në qershor 2002.

Ahmeti u zgjodh president BDI-së dhe në shtator të vitit 2002, partia e tij mori shumicën e votave nga partitë shqiptare të Maqedonisë. BDI iu bashkua koalicionit qeverisës drejtuar nga socialdemokratët dhe Ahmeti u hoq nga lista e zezë e SHBA.

Pas zgjedhjeve të korrikut të vitit 2006, BDI u la jashtë qeverisë, pavarësisht se fitoi më shumë vota në mesin e partive të bllokut shqiptar. Partia në pushtet VMRO-DPMNE zgjodhi Partinë Demokratike të Shqiptarëve, PDSH, si partnerin e saj.

Në janar 2007, BDI njoftoi një bojkotim të parlamentit që zgjati deri në fund të atij viti, kur partitë kryesore të Maqedonisë rënë dakord mbi reformat e kërkuara nga BDI, të cilat shihen si një fitore e rëndësishme për partinë. Reformat përfshinin përdorimin më të gjerë të gjuhës shqipe në institucione, si dhe një marrëveshje për ligje të caktuara që nuk mund të kalojnë në parlament pa miratimin nga shumica e deputetëve shqiptarë. Partia e Ahmetit u bë pjesë e koalicionit qeverisës së udhëhequr nga VMRO-DPMNE e Nikola Gruevskit pas zgjedhjeve të qershorit 2008.

Të drejta për shqiptarët etnikë

Që nga fillimi i karrierës së tij politike, Ahmeti njihej si një njeri i qetë që punon prapa skenave. Në veçanti, ai kurrë nuk përdor gjuhën maqedonase në publik, por përdor një përkthyes për të dhënë deklarata.

Ai është një politikan që e di si ta marrë atë që dëshiron. Ai pati sukses në miratimin e disa ligjeve polemike që i dhanë më shumë të drejta komunitetit shqiptar.

Një sukses i madh ka qenë miratimi i një ligji që i dha amnisti luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të paditur nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, pasi ajo i kishte kaluar disa çështje për seanca dëgjimore në gjykatat maqedonase.

Një tjetër erdhi në vitin 2008, kur Maqedonia njohu pavarësinë e Kosovës – në kundërshtim me dëshirën e Serbisë – pjesërisht si rezultat i presionit nga partia e Ahmetit.

Që nga pjesëmarrja në qeveri të ndryshme me VMRO DPMNE, BDI ka ndjekur një politikë bashkëpunimi me partinë kryesore në pushtet në çështjen e problematike të “emrit” me Greqinë, duke thënë se BDI do të bjerë dakord për çdo zgjidhje që është e mirë për Maqedoninë.

Megjithatë, anëtarët e partisë BDI pohojnë lënien jashtë të Maqedonisë nga BE-ja dhe NATO për shkak të çështjes së emrit. Gjatë viteve të fundit BDI ka lënë të kuptohet më shumë se një herë se mund të tërhiqet nga koalicioni me VMRO-DPMNE në qoftë se problemi nuk zgjidhet.

Pavarësisht disa krizave të koalicionit, partneriteti Ahmeti-Gruevski ka mbijetuar sot e kësaj dite. Në vitin 2012, Ahmeti arriti të fitojë me sukses disa ministri të reja të rëndësishme për partinë e tij, përfshirë atë të mbrojtjes, e cila kurrë më parë nuk ishte drejtuar nga një shqiptar. BDI tani mban postin e zëvendës-kryeministrit që është përgjegjës për integrimin në BE.

Kundërshtarët e Ahmetit, megjithatë, e akuzojnë atë se është nënshtruar shumë ndaj Gruevskit dhe se ka shpërfillur interesat e shqiptarëve në Maqedoni. Këto akuza nuk e kanë dëmtuar pozitën e tij te votuesit shqiptarë.

Në fund të vitit 2013, Ahmeti këmbënguli që VMRO-DPMNE të bjerë dakord për një kandidat presidencial konsensual si kusht për pjesëmarrjen e BDI-së në zgjedhje të parakohshme. VMRO-DPMNE hodhi poshtë idenë, por shumë analistë besojnë se kjo ishte një mosmarrëveshje e organizuar për të justifikuar të dyja palët për vajtjen në zgjedhje të parakohshme në prill 2014, ku të dyja partitë dolën mirë.

Në zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme dhe ato presidenciale në vitin 2014, BDI vendosi të marrë pjesë në të parat, por bojkotoi të dytat, duke i bërë thirrje mbështetësve të saj që të mos votojnë për kandidatët presidencialë.

Duke ruajtur koalicionin qeveritar me VMRO-DPMNE pas votimeve të 2014, BDI që atëherë ka kundërshtuar legjitimitetin e zgjedhjes së presidentit Gjorge Ivanov. Ahmeti thotë se BDI nuk do të braktisë idenë e një kandidati konsensual për president.

Në fillim të vitit 2015, Social Demokratët filluan të publikonin pjesë të bisedave të përgjuara. Zërat që dëgjoheshin në përgjime duket se ishin të zyrtarëve të lartë të qeverisë dhe bashkëpunëtorëve të saj, të cilët diskutonin për manipulim të zgjedhjeve, rryshfete për marrëveshjet e biznesit, manipulimin të sistemit të drejtësisë, kontroll mbi median, arrestim të kundërshtarëve politikë, dhe madje edhe për mbulim të vrasjes së një të riu nga një polic.

Social Demokratët e akuzojnë qeverinë e Gruevskit për përgjim të më shumë se 20.000 njerëzve, përfshirë ministrat dhe anëtarët e partisë së tij.

Përgjigjja ndaj përgjimit kritikohet

Vëzhguesit hamendësuan nëse BDI do të largohet nga koalicioni me Gruevskin, lëvizje që me gjasa do të nxiste zgjedhje të parakohshme. Pavarësisht thirrjeve në rritje brenda partisë së Ahmetit për të braktisur atë që është parë si anija në fundosje e Gruevskit, partia dukej veçanërisht e përmbajtur dhe e paqartë në përgjigjen e saj ndaj skandalit të përgjimit.

BDI bëri thjesht thirrje që “të gjitha çështjet e hapura të zgjidhen në një mënyrë transparente dhe institucionale” duke këmbëngulur se “të gjithë aktorët politikë duhet të jenë të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm në lidhje me situatën tashmë të tensionuar në vend”.

Ahmeti ka thënë se zgjodhi të qëndrojë në qeveri për hir të stabilitetit. Në qershor 2016, ai i tha BIRN: “Njerëzit votuan për ne që t’i përfaqësojmë. Ata nuk votuan për ne që të dalim në rrugë”.

Pavarësisht paralajmërimeve dhe kërcënimeve nga ana e Social Demokratëve se do të publikojë bisedat më skandaloze që duket që përfshin ministrat e BDI, vetëm pak përgjime janë publikuar. Si i tillë, BDI ka dalë relativisht pa u lagur nga skandali që ka tronditur VMRO-DPMNE.

Ahmeti nuk dha asnjë koment kur u publikua një regjistrim ku dyshohet shfaqet Musa Xhaferi, ministër pastaj zëvendës-kryeministër dhe Saso Mijalkov, i cili është kushëriri i Gruevskit dhe njëkohësisht ishte shefi i policisë sekrete, duke diskutuar emërimin e gjyqtarëve.

Mijalkov shfaqet duke i treguar Xhaferit se roli i kreut të Gjykatës së Lartë është rezervuar gjithmonë për një gjykatës të emëruar nga partia kryesore në pushtet dhe se BDI nuk duhet të bëjë zhurmë për të pasi ka tashmë ndikim të mjaftueshëm në gjyqësor. Xhaferi përgjigjet se ai e sheh të nevojshme të konsultohet me Ahmetin për këtë çështje.

Marrëdhënia e BDI me partinë e Gruevskit ka shkaktuar mjaft shtangie te të brendshmit dhe dy figurat kryesore të aprtisë formuan një parti të re, Bashkimin, në shtator 2015.

Pavarësisht debateve, Ahmeti mbështeti propozimin e VMRO-DPMNE për të shpallur të jashtëligjshme publikimin dhe ripublikimin e çdo materiali të lidhur me pretendimet e mbikëqyrjes së paligjshme. Pas shkaktimit të një zemërimi mes kritikëve të qeverisë, projektligji u tërhoq shpejt pas presionit ndërkombëtar.

Në prill, vetëm dy muaj para zgjedhjeve të parakohshme të planifikuara për në qershor të cilat u shtynë për më vonë, Ahmeti u akuzua edhe një herë se mbështeti Gruevskin, kur partia njoftoi se tërhiqej nga qeveria e përkohshme e vendit, e cila kishte detyrën për përgatitjen e vendit për zgjedhje të parakohshme.

Ahmeti mohoi pretendimet se tërheqja e BDI synonte të konfirmonte një datë në qershor për zgjedhjet, ku Gruevski shpresonte që kjo do t’i mundësonte atij një fitore të shpejtë, pa zbatimin e një sërë reformash urgjente për zgjedhjet dhe median, siç ishte pranuar në diskutimet e ndërmjetësuara nga ndërkombëtarët.

Në një intervistë për BIRN, Ahmeti i përshkroi thirrjet për federalizim të Maqedonisë si jopraktike dhe tha se zbatimi i plotë i marrëveshjes së Ohrit është mënyra më e mirë për të siguruar një të ardhme multi-etnike për Maqedoninë.

Ai i shpërfilli pretendimet se BDI është e bindur ndaj qeverisë së VMRO-DPMNE dhe se partitë e reja të shqiptarëve etnikë po fitojnë më shumë mbështetje publike, gjë që e vë pozicionin e tij në rrezik.

Duke marrë parasysh natyrën e paqëndrueshme të politikës maqedonase sot, kjo mbetet për t’u parë.

.