Pasditen e sotme, në ambientet e Teatrit “Adriana”, me pjesëmarrjen e stafit shëndetësor ferizajas, nën tingujt e këngëve të muzikës së mirëfilltë popullore, orkestra e AKV “Kastriotët”, mbajti koncertin me moton “Ju faleminderit”, në nderim dhe falënderim për punën e stafit shëndetësor në Ferizaj.
Një ngjarje e tillë, e mbajtur në vigjilje të shënimit të Ditës së Infermierisë në Ferizaj, mblodhi artistë të shumtë ferizajas e më gjerë, që performuan në këtë koncert, si shenjë falënderimi ndaj mantelbardhëve për punën e tyre gjatë gjithë pandemisë, në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve.
Nesër në Ferizaj, nën organizimin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, organizohen një varg aktivitetesh në sheshin e qytetit, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Infermierisë.