Policia e Kosovës në orët e mëngjesit të së enjtes ka zbatuar urdhrin e Gjykatës së Ferizajt për bastisjen e katër lokacioneve në Shtërpcë dhe largimin e kamerave të vendosura nga strukturat ilegale.
Prokurori Rasim Maloku në një deklaratë kishte bërë të ditur se po zbatohet një urdhëresë e Gjykatës si dhe po bastisen disa lokacione që i kontrollojnë strukturat ilegale.
E sot, Policia e Kosovës në raportin 24 orësh bënë të ditur se rasti në Shtërpcë është cilësuar si bashkim për veprimtari kundërkushtetuese/spiunazh për një periudhë 7 vjeçare.
“Shtërpcë (NN) 2013-2022. Bazuar në urdhëresën e Gjykatës, janë kryer disa kontrolle në lokacione të ndryshme në komunën e Shtërpcës, ku janë sekuestruar kompjuterë, dosje me dokumente, libra amëz, kamera të vendosura nëpër rrugë, etj”, thuhet në raport.
Më tej bëhet e ditur se rasti është duke u hetuar.
Ndryshe, aksioni në fjalë nuk ka pasur të bëjë drejtpërdrejtë me ndërtimet pa leje në Brezovicë, por që ndërlidhet me disa prej të arrestuarve të Brezovicës, e që si struktura ilegale kanë menaxhuar me kamerat e sigurisë.
Përmes këtyre kamerave janë monitoruar lëvizjet e qytetarëve dhe të institucioneve.