Sport

Ajeti, Sadiku, Kryeziu, Kololli dhe Avdijaj në grupin e të dalluarve të xhiros së 20- të supërliglës zvicerane në futboll

By FerizajPress

February 13, 2017

Arif Ejupi -Zvicër

Edhe në xhiron e 20-të të Supërligës zvicerane në futboll pjesa dërmuese e futbollistëve me origjinë shqiptare kanë shkëlqyer. Nga java në javë prirjet e tij të vërteta prej sulmuesi mjaft të rrezikshëm po i tregon Albian Ajeti. Në saje të golit të tij të shënuar në minutën e 70 të ndeshjes FC St.Gallen ka mundur FC Lausanne 2:1. Kurse për mysafirët ka shënuar Benjamin Kololli. Ky futbollist i lëvizshëm dhe me forcë të mjaftueshme fizike luan për mrekulli në pozitën e mbrojtësit të djathtë. Por, nëse e kërkon nevoja ai është tejet i rrezikshëm edhe në sulm. Sidoqoftë skuadra e Ajetit këtë herë është treguar më e organizuar dhe me meritë ka mundur FC Lausannen, në të cilën gjatë këtij kampionati po luan Kololli. FC Lugano sikur ka marrë mësim nga pësimi i javës së kaluar në Basel. Ajo në stadiumin e bukur  “Conaredo” ka kënaqur shikuesit e saj duke mundur 3:0 FC Grasshopper-in e Cyrihut. Ardhjen e tij në skuadrën tiçineze e ka arsyetuar reprezentuesi i kombëtares shqiptare Armando Sadiku. Ai jo vetëm që ka furnizuar me top bashkëlojtarët por në minutën 71 ka vulosur epilogun e këtij takimi duke mposhtur portierin e mysafirëve Vaso Vasiq FC Grasshopper edhe pse si njëri nga Klubet më prestigjioze të Zvicrës, fillimin e këtij gjysmë kampionati e ka nisur shumë keq. Grasshopper në të cilin janë titullar Pnishi, Brahimi dhe Bajrami edhe javën e kaluar në terren të vet pësoi humbje nga FC Thun 0 me 1. FC Sion i paralajmëruar favorit ka mundur me rezultat 4 me2 FC Vaduzin, dhe me këto tre pikë të fituara është ngjitur në vendin e katërt të tabelës së klasifikimit. Ndërkaq FC Vaduz për të cilin  ka shënuar në minutën e 65 Albian Avdijaj,mbetet edhe më tutje i fundit me vetëm 17 pikë të grumbulluara. FC Luzern edhe pse ka pësuar gol në minutën e 12  të lojës është këndellur shpejt. Përveç që ka barazuar në minutën e 24 ai ka shënuar edhe tre gola të tjerë duke e mposhtur 4:1 BSC YoungBoys-in e Bernës. Në këtë sukses të skuadrës nga Luzerni,  hise ka dhe mesfushori i saj Hekuran Kryeziu . Ai në minutën e 31 me një solo aksion ka shënuar gol të bukur. Nga minuta e 72 në radhët e sulmit të mysafirëve është aktivizuar Taulant Seferi, një  futbollist i ri me prejardhje nga Kumanova e Maqedonisë. Ekspertët e futbollit dhe bashkëlojtarët e shohin me mundësi të mëdha për të shënuar suksese të lakmueshme Seferin, i cili manovron për mrekulli me topin në të gjitha situatat. Me gjithë humbjen e sotme SBC YoungBoys mbetet akoma në vendin e dytë me një epërsi prej pesë pikësh më tepër se FC Luzern i radhitur në vendin e tretë. FC Basel 1893 si klubi më i mirë i Zvicrës, ndër vite po jep futbollistë të klasit të parë. Kjo skuadër edhe me fondin e tashëm të lojtarëve  e ka të sigurt titullin e Kampionit. Kësaj radhe me gjithë përpjekjet për të rezistuar nga kjo ekip në terrenin e vet është gjunjëzuar 0 me 2 FCThun. Gjatë gjithë lojës për FCBasel 1893 ka luajtur Taulant Xhaka. Ai në minutën e 72 është treguar paksa i pakujdesshëm dhe ka shkaktuar një ndërhyrje të palejuar ndaj lojtarit vendas Sandro Lauper. Arbitri kryesor i kësaj ndeshje Lukas Fahndrich, këtë gjest të  Xhakës e ka cilësuar të patolerueshëm dhe pa ngurruar i ka treguar atij kartonin e verdhë./Botapress.info