Lajme

Ahmeti: Nuk kemi dhënë leje për hedhjen e fishekzjarrëve (Dokument)

By FerizajPress

July 14, 2018

Disa OJQ mjedisore dhe palë të tjera të interesit kanë ngritur zërin kundër paralajmërimit se gjatë një koncerti të një banke në Prishtinë do të ndizen një sasi e konsiderueshme e fishekzjarrëve. Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka sqaruar se lejen për fishekzjarrë nuk e ka lëshuar, pasi nuk është kompetencë e komunës, por e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë, transmeton Indeksonline. I pari i kryeqytetit përmes një shkrimi në facebook ka sqaruar në hollësi këtë çështje, duke i bashkangjitur edhe ligjin dhe lejen e lëshuar për koncert, por jo edhe për fishekzjarre. Postimi i plotë: Sa për sqarim edhe njëherë: Komuna e Prishtinës nuk lëshon leje për fishekzjarre sepse nuk ka kompetencë. Po e bashkangjes edhe ligjin edhe lejen që e kemi lëshu për koncertin. Çdo vit ProCredit organizon koncertin e përvjetorit me artistë të njohur dhe çdo vit ne kemi lëshuar pëlqimin me kushtin që të marrin lejen e Universitetit te Prishtinës. Për mjete piroteknike i kemi drejtuar tek MPB dhe policia sic e kërkon Ligji. Në Prishtinë, PCB ka financuar dy parqe të mëdha, në Dardani dhe Heroinat. Për këtë, i falenderojmë. Edhe në këtë rast Prishtina do të ishte falenderuese nqs paratë e fishekzjarreve do të mund të shpenzoheshin për mbjellje të drunjve shtesë. I përkrahim iniciativat qytetare por do të ishte mirë që të niset një e përgjithshme për mjetet piroteknike. Mjafton të bëhet një hulumtim për importin e mjeteve dhe po ashtu për lejet që lëshohen për çdo javë. Dhe të krahasohen edhe me shtetet e tjera. Por, nuk mund ti kuptoj shpifjet e ish kolegëve të mi që çdo ngjarje mundohen me keqpërdor për sulme. Vitin e kaluar kanë qenë 3000 kg në evenimentin e njejtë ku edhe kanë qenë nëpër drejtori dhe nuk ka pas asnjë reagim. Sivjet për 1000 kg nuk lanë fjalë pa shpif.