Ferizaj

Agim Aliu zgjedhet anëtar i bordit të Asociacionit të Komunave të Kosovës

By FerizajPress

April 03, 2018

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka mbajtur Kuvendin e Përgjithshëm Vjetor ku kanë marrë pjesë delegatët nga Komunat e Republikës së Kosovës dhe kryetarët e komunave. Kryetari i deritashëm i AKK-së z.Naim Ismajli hapi punimet e Kuvendit dhe paraqiti para të pranishmëve agjendën e punës së këtij takimi, të organit më të lartë të Asociacionit të Komunave të Kosovës. Kuvendi i Përgjithshëm Vjetor i AKK-së sot debatoi për raportet vjetore të punës dhe atë financiar për vitin 2017 si dhe debatoi për agjendën legjislative të Qeverisë së Republikës së Kosovës 2018 dhe për çështjet tjera të lobimit në interes të Komunave të Kosovës.

Delegatët e Kuvendit të Përgjithshëm të AKK-së pas diskutimeve kanë aprovuar Raportin e Punës dhe Raportin Financiar të AKK-së për vitin 2017.

Në pikën tjetër, Kuvendi i Përgjithshëm i Asociacionit të Komunave të Kosovës zgjodhi për kryetar i AKK-së z. Agim Veliun – Kryetar i Komunës së Podujevës, dhe zëvendëskryetar z.Xhafer Gashin- Kryetar i Komunës së Obiliqit.

Kuvendi poashtu zgjodhi edhe anëtarët e Bordit të AKK-së: z.Agim Aliu– Kryetar i Komunës së Ferizajt, z. Haki Rugova– Kryetar i Komunës së Istogut, z. Imri Ahmeti- Kryetar i Komunës së Lipjanit, z. Agron Kuçi – Kryetar i Komunës së Junikut, dhe z. Dragan Petkovic– Kryetar i Komunës së Parteshit.

Me këtë rast, kryetari i posa zgjedhur i AKK-së z. Agim Veliu në fjalën e tij pasi falenderoi delegatët e Kuvendit për besimin e dhënë tha se “siç e dini Asociacioni i Komunave të Kosovës është një organizatë tërësisht e Komunave të Kosovës dhe është në shërbim të plotë të pushtetit lokal dhe sfidave e çështjeve që prekupohet ky nivel i qeverisjes në Republikën e Kosovës. Si ka qenë deri më tani, AKK-ja edhe në mandantin tim si Kryetar i tij do të jetë një organizatë jo politike e jo partiake por një organizatë e cila punon dhe angazhohet vetëm në drejtim të mbrojtjes së interesave të Komunave të Kosovës. Angazhimi i deri tashëm në këtë drejtim ka sjell këtë imazh dhe reputacion që ka Asociacioni i Komunave të Kosovës si tek niveli qendror ashtu edhe tek komuniteti i donatorëve”.

Ndërsa, Drejtori Ekzekutiv z. Sazan Ibrahimi paraqiti në pika të shkurtra planin e punës për këtë vit dhe format e lobimit në interes të komunave të Kosovës e i cili mori miratimin e delegatëve të Kuvendit të Përgjithshëm të AKK-së. Në këtë takim vjetor u debatuan edhe çështje tjera që kanë të bëjnë me qeverisjen lokale në Kosovë.