Paraditen e sotme, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu i shoqëruar edhe nga drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Afrim Llabjani, ka pritur në takim zëvendësministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Azem Guri. Në këtë takim u diskutua për sfidat e arsimit në nivel lokal me theks të veçantë procesin e mbajtjes së pjesës së dytë të Testit të Maturës Shtetërore, Testin e Arritshmërisë, problemet teknike në shkollat e Komunës së Ferizajt si dhe sukseset e shënuara gjatë kësaj periudhe 6 mujore të qeverisjes. Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu falënderoi për vizitën zv.ministrin Guri duke theksuar se Komuna e Ferizajt ka nevojë të domosdoshme të mbështetet nga MASHT-i, sidomos sa i përket përmirësimit të infrastrukturës shkollore dhe ndërtimit të kapaciteteve të reja në këtë sektor. Drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Afrim Llabjani, në këtë takim paraqiti një pasqyrë të plotë të gjendjes në arsimin lokal, duke potencuar rëndësinë e mbështetjes nga ana e MASHT-it me projekte të ndryshme kjo përshkak të borxheve të mëdha dhe sfidave të tjera me të cilat ballafaqohet arsimi lokal. Edhe zv. Ministri Guri u zotua se sa i përket projekteve të kësaj fushe, Komuna e Ferizajt është në agjendën e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për investime. Më tutje, zv. ministri Guri u shpreh i gatshëm të ndihmoj komunën tonë në çdo projekt me impakt direkt në përmirësimin e cilësisë në arsim. Çështje ndër kryesoret që u diskutua në këtë takim ishte edhe ndërtimi i shkollës së mesme profesionale, për të cilat Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu njoftoi se sa i përket institucionit të Komunës, është i vendosur që me dinamikë dhe efikasitet të përfundoj procedurat që i përkasin nivelit lokal.