Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu pas lajmit se ka ndërruar jetë ish kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Ferizaj, Bujar Ef. Hasani, përmes një telegrami ka ngushëlluar familjen Hasani.
TELEGRAM NGUSHËLLIMI
Me pikëllim të madh, kuptova lajmin për ndarjen e hershme nga jeta, të ish Kryetarit të Bashkësisë Islame në Ferizaj, imamit të fshatit Gaçkë, bashkëqytetarit tonë shembullor e urtak, Bujar Ef. Hasani.
Miku im Bujar, ti ike herët, duke na lënë me lamtumirën tënde, një gropë të thellë pikëllimi, të gjithëve që të njohëm e patëm rastin bashkë të punojmë.
Ike ti nga bota e të gjallëve, së cilës i dhe me veprën tënde, shembullin e fisnikërisë, devotshmërisë, sinqeritetit e raportit plot virtyte mes njëri-tjetrit.
Ike, por jeton e do të frymosh gjithmonë, me mirësitë që le pas, me urtësinë që të tipizonte, me buzëqeshjen e dëlirësinë që gjithmonë, pa kursim na dhurove.
Tek Krijuesi, shpirti yt i bardhë, u prehtë në paqe!
Ngushëllime të sinqerta familjes së respektuar Hasani, Kreut të Këshillit të Bashkësisë Islame të Kosovës në Ferizaj, besimtarëve e gjithë të njohurve të të ndjerit.