Ferizaj

Agim Aliu mbyll fushatën me mesazhin “Ferizaj i Gjeneratës Tjetër”

By FerizajPress

October 09, 2025

Në një atmosferë entuziaste dhe me pjesëmarrje të madhe të qytetarëve, kryetari aktual i Ferizajt dhe kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Agim Aliu, ka mbajtur tubimin përmbyllës të fushatës zgjedhore, duke shpallur vizionin e tij për “Ferizajn e Gjeneratës Tjetër”.

Fryma e bashkimit dhe krenarisë qytetare

Në fjalimin e tij përmbyllës, Aliu u shpreh mirënjohës për mbështetjen e qytetarëve, duke theksuar se çdo arritje në këto vite është fryt i besimit dhe bashkëpunimit.“Ferizajasit janë njerëz të punës, të ndershëm dhe krenarë për qytetin e tyre. Ata nuk e pranojnë propagandën, por vlerësojnë veprat. E kemi dëshmuar se Ferizaj mund të bëhet qytet modern, i zhvilluar dhe i drejtë,” theksoi ai mes duartrokitjeve të shumta.

Rezultatet e dy mandateve të zhvillimit

Aliu rikujtoi rrugën e transformimit që ka përjetuar Ferizaj gjatë dy mandateve të tij në drejtim të urbanizimit, infrastrukturës moderne, përmirësimit të arsimit e shëndetësisë, si dhe mbështetjes së bujqësisë dhe bizneseve lokale.“Sot Ferizaj është boshti i zhvillimit ekonomik të Kosovës, sinonim i punës dhe përkushtimit. Kemi dëshmuar se vizioni dhe përgjegjësia ndërtojnë besim e rezultate,” tha ai.

“Ferizaj i Gjeneratës Tjetër” — vizioni për dekadën e ardhshme

Në vazhdim, Agim Aliu shpalosi programin për mandatin e ardhshëm, duke e përkufizuar atë si epokën e “Ferizajt të Gjeneratës Tjetër”.Ai premtoi digjitalizim të plotë të shërbimeve komunale, investime në arsim bashkëkohor, sistem shëndetësor modern dhe zhvillim të gjelbër e të qëndrueshëm.“Ferizaj i Gjeneratës Tjetër është qyteti ku të rinjtë gjejnë të ardhmen, gratë ndihen të mbështetura, e të moshuarit gëzojnë kujdesin e merituar,” u shpreh Aliu.

Në përmbyllje, kryetari Aliu u bëri thirrje qytetarëve të dalin në votime më 12 tetor dhe të zgjedhin vazhdimësinë e zhvillimit:“Unë do të jem kryeshërbëtori juaj. Pushteti është i qytetarëve. Ne ecim krenarë drejt fitores me PDK-në dhe me besimin e ferizajasve që dinë të vlerësojnë punën,” deklaroi ai mes entuziazmit të madh të pjesëmarrësve.

Ferizaj2025 #AgimAliu #PDK #FerizajiGjeneratësTjetër #ZgjedhjetLokale2025