Ferizaj

Agim Aliu inkurajon të rinjtë për pjesëmarrje në proceset vendimmarrëse

By FerizajPress

April 04, 2018

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu gjatë ditës së sotme ka mbajtur ligjëratë para studentëve të Kolegjit AAB, kampusi në Ferizaj. Kjo ligjërate është zhvilluar në serinë e debateve me personalitete të ndryshme të cilat po organizohen në vazhdimësi nga ky kolegj. Në bashkëbisedim me studentët, Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes të të rinjve në proceset vendimmarrëse, duke elaboruar gjerësisht Ligjin për Vetëqeverisjen lokale, funksionimin e administratës komunale, kompetencat si dhe organizimin e punës e planifikimin buxhetor në nivel lokal.

Ndër të tjera, gjatë bashkëbisedimit me studentë, kryetari Agim Aliu insistoi në qëndrimin se duhet të ndodh ndryshimi i mentalitetit qeverisës si dhe politika të mbahet përgjegjëse për të gjitha zotimet, veprimet dhe mosveprimet e saja karshi kërkesave të qytetarëve.

“Ka ardhur koha kur politikën ta mbajmë përgjegjëse për atë që nuk është e realizuar në jetën tonë, askush tjetër nuk është përgjegjëse me shumë se politika. Unë jam përgjegjës për Komunën e Ferizajt në bazë të mandatit që më keni dhënë” theksoi kryetari Aliu.

Me këtë rast, Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu u shpreh se të jesh kryetar është pozita më sfiduese, ndërsa tha se këtë përgjegjësi do ta kryej me moral, besueshmëri dhe respektim të ligjeve.

Gjithashtu, gjatë këtij bashkëbisedimi me studentë, u diskutua edhe për sfidat me të cilat po përballet qeverisja lokale, punët e realizuara gjatë kësaj periudhe qeverisëse si dhe borxhet e trashëguara nga ish-pushteti.

Ndër të tjera, kryetari Aliu gjatë këtij takimi me studentët e kolegjit AAB, falënderoi drejtuesit e këtij institucioni dhe studentët për organizimin e këtij bashkëbisedimi duke u shprehur se do të jetë një kryetar komune që prioritet do ta këtë ndërtimin e besimit të qytetarëve në institucionin e komunës si dhe realizimin e zotimeve të dhëna që përfaqësojnë platformën qeverisëse për Ferizajn.