Ferizaj

Agim Aliu: I gjithë Ferizaj në terr, kjo është e pashembullt!

By FerizajPress

December 25, 2024

Ditëve të fundit e veçanërisht sot, Ferizaj po përballet me gjendje të pashembullt e të pandodhur më parë sa i përket furnizimit me energji elektrike.

Vetëm sot, mbi 5 orë pa rrymë i gjithë Ferizaj, e kjo gjendje po vazhdon edhe tani. Në terr familjet, në terr mërgimtarët që kanë zgjedhur të kalojnë festat me familjarët e tyre në vendlindje, në terr bizneset që po humbin mijëra euro çdo orë nga dëmet që sjell mungesa e energjisë elektrike.

Ndonëse përgjatë 7 viteve, Komuna e Ferizajt ka siguruar investime milionëshe në kapacitete të energjisë elektrike, siç është Nënstacioni 110/35/10 kV që do të përurohet më 31 Dhjetor, prapë ferizajasit, përballen me terr.

Kush do t’i paguaj këto dëme, familjeve e bizneseve ferizajase?

Kërkoj ndërmarrjen e masave të menjëhershme nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Ministria e Ekonomisë, KEDS/KOSTT që Ferizaj të trajtohet barabarësisht, që reduktimet e energjisë elektrike të kësaj përmase enorme, pa orar e pa arsye të qëndrueshme të marrin fund, ka shkruar kryetari i Ferizajt, Agim Aliu.