Ferizaj

Agim Aliu: Do t’a ndërtojmë Parkun Memorial të Jezercit

By FerizajPress

September 28, 2017

Me rastin e Ditës së Dëshmorëve të Komunë së Ferizajt, për portalin Ferizajpress, kandidati për Kryetar të Komunës së Ferizajt, z. Agim Aliu, bëri shpalosjen e programit qeverisës, me theks të veçantë në kultivimin dhe promovimin e vlerave të luftës së UÇK-së. “Ne, së bashku si shoqëri, kemi për obligim të kultivojmë dhe promovojmë vlerat e luftës së UÇK-së. Unë, gjatë mandatit qeverisës, do të procedoj me një projekt unik, siç është fillimi i ndërtimit të Parkut Memorial të Jezercit, të cilin projekt synojmë t’a implementojmë duke rindërtuar gjithë pozicionet, istikamet, vendrojet, bunkerët dhe do bëjmë shënjimin e vendeve ku kanë rënë dëshmorët tanë, rindërtim ky në formë origjinale, siç kanë qenë në kohën e luftës së fundit. Poashtu, pjesë e programit tim do të jetë edhe ndërtimi i Muzeut të Kujtesës, projekt që synon të grumbulloj reliktet, dëshmitë e kohërave historike në të cilat ka kaluar komuna jonë. Natyrshëm, qëllimi i këtyre projekteve është zhvillimi i turizmit dhe ekonomive familjare në zonat përkatëse dhe kujdesi i veçantë për angazhimin e familjeve të dëshmorëve në jetën institucionale e ekonomike të komunës sonë. Familjet e dëshmorëve, veteranët e UÇK-së dhe invalidët e luftës do të jenë pjesë e pandashme e vendimmarrjes sime politike. Ne në përputhje me ligjin për vlerat e luftës së UÇK-së do shtojmë kujdesin dhe përkrahjen për këto kategori në të gjitha aspektet- shtoi kanditati Aliu.