Ferizaj

Adem Salihaj, dëshmitar i mundshëm ndaj Fatmir Limajt dhe të tjerëve në rastin e MTPT-së

By FerizajPress

September 12, 2017

Ish-kryetari i Ferizajt dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Adem Salihaj, javën e ardhshme mund të jetë dëshmitari i radhës, në procesin gjyqësor ndaj Fatmir Limajt dhe të tjerëve, të cilët akuzohen për vepra penale që lidhen me korrupsionin, në rastin e njohur të MTPT-së.

Mundësinë që Salihaj të jetë dëshmitar në këtë gjykim, e ka përmendur kryesuesja e trupit gjykues, gjyqtarja Marie Tuma.

Për seancën e radhës që është caktuar të mbahet të hënën e javës së ardhshme, do të jap dëshminë e tij, dëshmitari Mustafë Dalloshi, kurse pasdite, sipas gjyqtares Tuma, mund të jap dëshminë e tij, ish-kryetari i Ferizajt, Adem Salihaj.

Por, i akuzuari Fatmir Limaj, ka deklaruar se dëshmia e Salihajt, nuk është aspak relevante në këtë rast.

“Cila është relevanca e tij për këtë rast, a dojmë me shkurtua këtë proces apo me bo politikë”, tha Limaj.

Sa i përket dëshmisë së Adem Salihajt, prokurori Charles Hardaway tha se do ta njoftoi gjykatën edhe njëherë për kohën se kur do të duhet të ftohej ai si dëshmitar.

Gjyqtarja Tuma, u ka lënë palëve tre ditë të lira, në mënyrë që të përmbledhin provat që ata synojnë t’i paraqesin në këtë shqyrtim gjyqësor, që pritet të vazhdojë të hënën e javës së ardhshme.

Ajo po ashtu, shtoi se prokurori ka prezantuar një listë prej 18 dëshmitarëve, duke përfshirë edhe dëshmitarë ekspertë ndërkombëtarë, por theksoi se kjo nuk do të thotë se mund të bëhen ndryshime.

Ndryshe, në seancën e së martës, ka përfunduar dëshminë e tij, dëshmitari Arsim Kolshi.