Lajme

Abazi reagon ndaj Musatafa Nanos, ia përmend shitjen e vajzave shqiptare në Serbi

By FerizajPress

July 18, 2018

Ish-drejtori i Fondacionit “Rockefeller Brothers Found” dhe publicisti, Haki Abazi, i është kundërpërgjigjur Mustafa Nanos pas deklaratave të tij ofenduese ndaj shqiptarëve të Kosovës, për një pjesë të të cilëve ai ka thënë se kanë gjak serbi. Përmes një shkrimi në Facebook, Abazi ka thënë se Nano është një produkt i përzierjes pa progres në Shqipëri.

“Ai si duket është një kontinuitet kuazi intelektual me shkallë të lartë të inferioritetit dhe krizë identitare që në mënyrë tipike për t’u bërë faktor e për t’i hyrë në hatër dikujt merr guximin për t’u treguar shqiptarëve të Kosovës se kush janë serbët dhe Serbia”, ka thënë Abazi.

Abazi ia ka përmendur Nanos edhe femrat shqiptare që shiten si mall në Serbi. Ka thënë se ekziston një fenomen i martesave të grave nga zonat e thella të Shqipërisë, me burra serbë që jetojnë në vise që kultivojnë shovenizmin në Serbi.

“Ka të drejtë vetëm për një gjë që martesat edhe sot ekzistojnë por ato janë vetëm ndërmjet vajzave të shtypura e pa perspektivë të zonave të ngujuara thellë të Shqipërisë së Nanos dhe zonave që kultivojnë shovenizmin në Serbi. Përderisa është për trishtim që këto vajza shiten si mall në shekullin 21 në Shqipërinë e avancuar të Nanos, në anën tjetër çuditërisht që në secilën luftë mobilizimi i paramilitarëve dhe ushtarëve vjen kryesisht nga këto zona të prapambetura të Serbisë”, ka shkruar Abazi.

“Kjo është Provokacija, e Nano, do të duhej të provokohet Nano për të ndaluar shitjen e vajzave, duhet të jetë pjesë e procesit të dekontaminimit kulturor, ai nëse ka kapacitet duhet të dalë kundër që të mos jetë normë e pranueshme që të hidhen vajzat shqiptare të vdekura nga makinat nëpër rrugë të Evropës dhe eventualisht të dalë të pastrojë bërllogun para shtëpisë së tij së pari”.