Demarkacioni mes Kosovës dhe Malit të Zi është përcaktuar nga forcat shumëkombëshe të NATO-s. I gjithë debati i deritashëm për këtë çështje, me shumë gjasë del të jetë i kotë.
Gazeta Fjala ka gjetur se vija kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi është e konfirmuar në Marrëveshjen e Kumanovës, me të cilën i është dhënë fund prezencës së forcave të armatosura serbe në Kosovë.
Në këtë marrëveshje është përcaktuar vija kufitare e Kosovës duke u marrë si datë gjendja e kufirit të vitit 1988.
Bazuar në këtë marrëveshje, i jepet të drejtë Komisionit Shtetëror për Demarkacionin dhe përmbysë të gjitha pretendimet tjera për mundësin e humbjes së afro 8 mijë hektarë tokë.
Konkretisht, qartësohet në Nenin 3 të kësaj marrëveshje ku përcaktohet edhe zona 5 kilometershe në të cilën nuk lejohet prezenca e forcave të armatosura të ish-jugosllavisë pjesë e secilës ishte edhe Mali i Zi.
Ajo zonë, pra prej 5 kilometrash e njohur si Zona e Sigurisë Tokësore, sipas dokumenteve që posedon Gazeta Fjala, fillon nga territori i Kosovës deri në pikën e Çakorrit.
“Zona e Sigurisë Tokësore (GSZ) është e definuar si një zonë pesë kilometërshe, që shtrihet përtej kufirit të Kosovës në territorin e pjesës tjetër të Republikës Federale të Jugosllavisë”, thuhet në pikën 3 (e) të Marrëveshjes Tekniko-Ushtarake.