Ferizaj

A do ti rrënoi Plani Zhvillimor Komunal dy monumentet më të vjetra në Ferizaj?

By FerizajPress

March 11, 2017

Ferizaj.11.03.2017. Me Planin Zhvillimor Komunal 2016-2022, parashihet që objekti i Gjimnazit të parë në gjuhën shqipe në Ferizaj dhe konvikti i parë i këtij qyteti, të rrënohen.

Zyrtari për trashëgimi kulturore në rajonin e Ferizajt Nexhat Shahini, thotë se këto dy objekte nuk mund të rrënohen, ngase janë monumente të mbrojtura me ligjin për trashëgimi kulturore.

“Kemi edhe dy shkolla të cilat janë në listën zyrtare për trashëgimi kulturore dhe Kuvendi Komunal me Planin e ri Zhvillimor i ka paraparë që këto të rrënohen dhe unë ua bëj me dije se këto dy monumente janë të mbrojtura me ligj, pra gjendja e monumenteve brenda qytetit, ato të cilat përdoren nga komuna janë në gjendje të mirë, përndryshe ato të cilat nuk kanë interes zyrtarët komunal janë në gjendje të mjerueshme”, tha Shahini.

E zëdhënësi i komunës së Ferizajt, Naim Ferati duke mos iu përgjigjur pyetjes se si do të veproj komuna me ato objekte që me Planin Zhvillimor Komunal, parashihen të rrënohen, edhe pse janë të mbrojtura me ligj, u ndal tek kritikat e Shahinit për moskujdesje të këtyre objekteve nga komuna.

“Derisa ata që akuzojnë nuk e ngrisin zërin për tërheqje të fondeve në Ferizaj, për çka edhe janë të thirrur dhe marrin rrogë nga Ministria  e Kulturës si përfaqësues të trashëgimisë kulturore në pjesën e regjionit të Ferizajt, atëherë ne nuk mund të flasim për fonde  për arsye se ligjet pozitive të Republikës së Kosovës sa i përket trashëgimisë kulturore këtë fushë e kanë centralizuar dhe kompetencat në këtë fushë i ka Ministria e Kulturës, Qeveria e Kosovës dhe Instituti i Trashëgimisë Kulturore, Komuna nuk ka asnjë kompetencë sa i përket trashëgimisë kulturore, por sigurisht që është interes i çdo qyteti që të ruaj dhe të avancoj vlerat e tij dhe sigurisht që dhe ne po e bëjmë të njëjtën”, ka thënë  Ferati për Televizionin Tema..

Zyrtari për trashëgimi kulturore në rajonin e Ferizajt, u shpreh i shqetësuar me gjendjen siç tha ai, të mjerueshme të monumenteve kulturore që ndodhen në Ferizaj, transmeton Televizioni Tema.