Lajme

A Do Të Testohen Edhe Njëherë Ata Që Kanë Patentë Shoferi?- Ja Çfarë Pritet Të Ndodh

By FerizajPress

September 24, 2018

I paligjshëm dhe shkelje e të drejtave të njeriut po konsiderohet përpjekja e Ministrisë së Infrastrukturës për t’i ritestuar për patentë shofer të gjithë qytetarët që e posedojnë këtë dokument.

Kjo, pritet të bëhet e obligueshme nëpërmjet një udhëzimi administrativ që Ministria është duke e përgatitur, shkruan sot “Koha Ditore”. Këtë e ka pohuar edhe vetë ministri, Pal Lekaj.

Por kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), Behxhet Shala, ka thënë se përveçqë është shkelje ligjore, është edhe zhvatje e qytetarëve, pasi këtë proces pritet ta udhëheqë një kompani private.

Shala ka theksuar se nëse një qytetar është pajisur me patentë shofer, ai nuk ka nevojë të hyjë më në ritestim nëse paraprakisht nuk ka shkaktuar kundërvajtje të rënda dhe nuk e ka rrezikuar sigurinë e qytetarëve.

Të dielën ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, duke e arsyetuar këtë nismë, ka vënë në dyshim aftësitë e qytetarëve pasi sipas tij përnjëherë nuk mund të mësohen të gjitha rregullat e komunikacionit.