Ish-punëtorët e Fabrikës së Gypave të Ferizajt, pas një muaji, vendosën ta lirojnë sallën e Kuvendit të Komunës, ku kishin nisur një grevë, në shenjë pakënaqësie për mospërmbushjen e detyrimeve të Qeverisë dhe AKP-së ndaj një borxhi. Ish-punëtorët e liruan sallën e KK-së pas bisedimeve të djeshme me kryetarin e Ferizajt Muharrem Svarqa, i cili u tregoi atyre se e kishte dorëzuar në Qeveri dosjen me gjithë dokumentacionin që flet për vendimet e gjyqësorit dhe të institucioneve kosovare rreth borxhit ndaj tyre, sa kohë që ishin larguar dhunshëm nga puna ndërmjet viteve 1990-1999. Kryetari Svarqa tha se do ta vazhdojë përkrahjen e këtyre ish-punëtorëve, duke shtuar përpjekjet për kontaktet e tyre me institucionet më të larta të shtetit, deri në përmbushjen e kërkesave.