Organizuar nga Asociacioni Kosovar për Imunologji Asthme dhe Alergji (Global Initiative for Asthma (GINA)) Dega ne Prishtine në bashkëpunim me Qendrën Kryesore te Mjekësisë Familjare ne Ferizaj, këtë të premte u mbajt simpoziumi shkencor. Kjo ngjarje nga të gjithë të pranishmit u cilësua si tejet e rëndësishme për shëndetësinë lokale, por edhe ne rrafshe me të gjera, me vet faktin se u shkëmbehen përvoja në dy fusha mjaft të ndjeshme në alergologji dhe në imunologji. Hapjen e këtij simpoziumi shkencor e bëri Luljeta Zeqiri Ahmetaj kryetare e rrjetit nacional për sëmundjen e asmës në Kosovë. Ndërkaq kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, ka thënë që simpoziumet dhe konferencat profesionale, veç shkëmbimit të përvojave ndërmjet mjekëve dhe punonjësve shëndetësorë nga vende të ndryshme, e çojnë përpara teorinë dhe praktikat mjekësore, duke paraqitur rezultatet e punës nga vende të ndryshme. “Vendi ynë është në fillet e ndërtimit të sistemit shëndetësor në të gjitha nivelet dhe për këtë na duhet përvoja rajonale dhe evropiane. Aq më tepër që një pjesë e konsiderueshme e pacientëve kosovarë, ende vazhdojnë të kërkojnë zgjidhje jashtë vendit tonë për sëmundje të caktuara. Ky është një tregues me shumë aspekte, por njëri nga aspektet është edhe mungesa e promovimit të dijeve dhe shkathtësive të stafit mjekësor vendës, në mënyrë që tek popullata të rritet besimi se shumë sëmundje mund të trajtohen me sukses edhe ndër ne. Ky simpozium dhe ngjarje të ngjashme si kjo, e kanë vendin e vet të pamohueshëm në këtë kuptim. Vendi ynë po bën hapa të rëndësishëm integrues drejt Bashkimit Evropian. Ne nuk mund të integrohemi në bashkësinë e vendeve e të popujve, pa një shëndetësi pak a shumë të nivelit siç e kanë edhe vendet tjera. Ky fakt, e shton edhe më shumë nevojën e kontakteve dhe shkëmbimit të përvojave me institucionet shëndetësore të rajonit dhe të Evropës, në mënyrë që edhe ne dalëngadalë ta ndjekim hapin e zhvillimit të mjekësisë përreth nesh. Ky simpozium edhe në ketë aspekt e ka rëndësinë e vet”, është shprehur numri një i qytetit të Ferizajt, Muharrem Svarqa. Të pranishmit bnë këtë simpozium i ka përshëndetur edhe këshilltari i ministrit të Shëndetësisë, Gëzim Kokollari. Ai theksoi se ky simpozium ka një rëndësi shumë të madhe për Ferizajn dhe gjithë Kosovës. Në këtë simpozium janë ndarë mirënjohje për mjeken e parë ferizajase, Dr. Myzijene Hoxha-Halili, për të ndjerin dr. Ismet Abudllahun si dhe dr. Sylejman Topallin. Mirënjohjet u ndan nga kryetari i komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa. Ky simpoziumi ishte i 5-të me radhë dhe ishte i titulluar “Fifth International Symposium-Ëorld Asthma Day”. U bë e ditur se punimi më i mirë do të përfaqësoje Kosovën në seminaret e Salzburgut, gjatë vitit 2016.