Ferizaj

9 biznese ferizajase përfitojnë pronë komunale për shfrytëzim për 99 vjet

By FerizajPress

June 28, 2017

Kryetari i komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, këtë të mërkurë ka bërë nënshkrimin 9 marrëveshjeve me afaristë të ndryshëm të cilët kanë përfituar të drejtën shfrytëzimit të pronave komunale për 99 vjet. Me këtë rast është premtuar rritje e numrit të punëtorëve në disa pjesë të Ferizajt ku toka komunale do të shndërrohet në punishte të suksesshme. Tokat që u janë dhënë në shfrytëzim bizneseve janë në zonën industriale në fshatin Babush dhe në pjesë të tjera, disa nga bizneset i kishin në shfrytëzim këto toka për 10 vite ndërsa tani u është zgjatur afati. Kryetari i komunës u zotua se do të ketë mbikëqyrje të vazhdueshme të investimeve dhe marrëveshjet do të rishikohen sa herë të jetë e nevojshme. “Zhvillimi i këtyre bizneseve është domosdoshmëri e zhvillimit ekonomik dhe përcaktim i qeverisë komunale. Unë ju uroj juve që jeni përfitues të pronave komunale për zhvillimin e bizneseve tuaja. Ne bazë të punëve paraprake të realizuara të cilat i ka parë komisioni i formuar për këtë çështje pas procedurave të Kuvendit ju jeni përzgjedh në bazë të një konkurrencë lojale. Mirëpo ne kemi ende punë për të bërë edhe pas nënshkrimit të kësaj kontrate, sepse një pjesë e punëve tuaja do të mbikëqyren nga komuna dhe në të njëjtën kohë jeni të obliguar që t’i respektoni dinamikat e investimeve ,sepse unë ka marrë një vendim që komisioni i komunës do t’i raportojë kryetarit të komunës për investimet çdo 6 muaj. Në rast se nuk i përmbaheni kësaj dinamike natyrisht se do t’i nënshtroheni procedurave të rishikimit të këtyre kontratave” u ka thënë kryetari Svarqa afaristëve ferizajas të cilët kanë nënshkruar kontratat me komunën sot. Ndërkaq përfaqësues të bizneseve thanë se koha e gjatë e shfrytëzimit të pronave komunale do t’u mundësojë të bëjnë investime të qëndrueshme dhe të rrisin kapacitetet prodhuese e të kenë sa më shumë punëtorë të angazhuar. Nysret Sylejmani nga fshati Rahovicë tregoi se do të fillojë një veprimtari bujqësore në një tokë të këtij fshati në mënyrë që të përfitojë edhe bujqësia nga prodhimi vendor, por edhe të mos mbesin djerrina këto prona publike të pashfrytëzuara deri më tani. Falënderime të shumta për këtë iniciativë shprehën edhe afaristët e tjerë duke treguar se përkrahja e komunës për veprimtaritë e tyre tani është e prekshme.