Ferizaj

Kryetari Svarqa dhe Ministri Abrashi  vizitojnë fabrikën që u përfshi sot nga zjarri në Ferizaj

By FerizajPress

April 09, 2016

Fabrikën  HI-TI “GERIS”  e cila sot u djegë plotësisht nga zjarri e vizituan edhe Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi,Kryetari I Ferizajt, Muharrem Svarqa dhe nënkryetari Xhavit Zariqi.

Me këtë rast ata u njoftuan me gjendjen  e kësaj fabrike pas  përfshirjes nga  zjarri  dhe me pronarët e fabrikës  u bisedua  për mundësit  që ka  Komuna dhe  Qeveria e Kosovës  të ndihmojnë në përtëritjen e këtij biznesi.

“Kjo është njëra nga  tragjedi që ka përjetuar afarizmi ferizajas që nga paslufta. Me ministrin Abrashi jemi këtu të shohim pasojat e këtij zjarri dhe te tregojmë  se do të bëjmë gjithë atë që është e mundur për riparimin  e pasojave të kësaj fatkeqësie. Edhe pse gjatë kohë kur zjarri kishte përfshirë këtë fabrikë  ishim në  vendin  ku për herë të parë u thye kufiri shqiptaro-shqiptarë  nga brigada 138 “Agim Ramadani” , ku 1/3 ishin pjesëtarë nga Ferizaj kam qenë në kontakt më Komandantin e Brigadës së Zjarrfikësve të Ferizajt dhe Komandantin e Policisë së Ferizajt. Shpresoj që  Kompanitë e sigurimeve  që veprojnë  në Kosovë  dhe me ndihmën e  shpirtit solidar të afaristëve ferizajas  kjo kompani do të kthehet sërish në  rrugën  e saj si prodhuese, e cila ishte  një nga prodhuesit  më të fuqishëm ferizajas  që  furnizonte edhe rajonin me prodhimet e saja” tha kryetari i Ferizajt Muharem Svarqa.

Svarqa me këtë rast ka falënderuar edhe ekipet e Zjarrfikësve  nga komunat fqinje të cilat  me të marr lajmin  e shpërthimit të zjarrit  kanë shprehur gatishmërinë  dhe që nga momentet e para  i janë  bashkuar njësitit të Ferizajt dhe ende po punojnë në shuarjen e zjarrit.

Edhe Ministri i Punës dhe  Mirëqenies Sociale  Arban Abrashi vizitoi  këtë fabrikë dhe tha se  ndihet i prekur nga kjo fatkeqësi.

“Nuk munda të mos ndalem e të vizitoi këtë vend  ku  është dëmtuar një biznes i fuqishëm ferizajas. Është një tragjedi e madhe si për ekonominë e Ferizajt dhe atë Kosovare. Shpresoj  që të kthehet në prodhim.  Jemi dakorduar me Kryetarin e Ferizajt dhe pronarin që të shikojmë të gjitha  mundësit dhe të koordinohemi  për të ndihmuar që ky biznes të kthehet sa më shpejt në prodhim  dhe  punëtorët të kthehen në vendet e tyre të punës” tha  Arban Arbrashi,Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale

“Kjo nuk është humbje vetëm e pronarit por është humbje  edhe për Shtetin e Kosovës dhe  ekonominë e Ferizajt sepse ka të bëjë me një biznes prodhues.Ishte një biznes mjaftë i fuqishëm  në komunën e Ferizajt  me djegien e të cilit u humbën miliona. Por fati në këtë fatkeqësi është se nuk  ka pasur humbje në njerëz” tha Xhavit Zariqi,nënkryetar i Ferizajt.

Ndërsa pronari i fabrikës  Nexhat Gashi tha se   zjarri ka shkatërruar gjithçka dhe  me këtë rast  kanë humbur gjithë kapitalin që është investuar në këtë fabrikë.