Në organizim të Forumit të gruas Demokratike,dega në Ferizaj në shënimin e përvjetorit të demonstratave të vitit 1981 është organizuar homazhe te varrezat e dëshmorëve në Ferizaj.
Në këtë tubim përkujtimor morën pjesë edhe Justina Shiroka-Pula,kryetare e Forumit të Gruas demokratike, Elmi Reçica dhe Agim Aliu deputet në Parlamentit të Kosovës, Nehat Mustafa, zëvendësministër në MPB , aktivistë të forumit të Gruas Demokratike në Ferizaj dhe familjarë të dëshmorëve. Në kuadër të këtij aktiviteti janë mbjellë edhe 62 fidanë të pishave të cilat do të mbajnë emrat e dëshmorëve. Me këtë rast u përkujtua periudha e demonstrative të viti 1981, demonstrate të cilat në atë kohë drodhën themelet e shtetit të ish Jugosllavisë. “Demonstratat e vitit 1981 janë vazhdimi i rezistencës kombëtare për liri dhe pavarësi e cila vazhdoi deri në qershorin e vitit 1999,e ku kulminacioni u arrit me 17 Shkurt të vitit 2008 ,me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. Pa demonstratat e vitit 1981 dhe pa dëshmorët e asaj lëvizje nuk do të kishim as lirinë,as pavarësinë e as UÇK-në. Nderi dhe respekti është i përhershëm për të gjithë dëshmorët që ranë në altarin e Lirisë” tha Elmi Reçica,deputet i Parlamentit të Kosovës. Ndërsa kryetarja e Forumit të Gruas demokratike në Ferizaj, Hanife Salihu tha se ky organizim është bërë me qëllim të përkujtimit të demonstrative të vitit 81 dhe dëshmorëve të rënë. “Qëllim i këtij organizimi ka qenë përkujtimi I demonstrative të vitit 1981 dhe të gjitha periudhave historike të popullit tonë për Liri.Për nder të dëshmorëve të kombit kemi mbjellë 62 fidane të pishave të cilat do të mbajnë emrat e dëshmorëve tha Hanife Salihu. Këtë e ka përshëndetur edhe Justina Shiroka- Pula, kryetare e Forumit të Gruas Demokratike dhe kryetari i Shoqatës së familjeve të dëshmorëve ,Gafurr Bytyqi.