Ferizaj

6 raste aktive me COVID-19 në Ferizaj

By FerizajPress

June 22, 2020

6 raste me koronavirus vazhdojnë të jenë aktive në komunën e Ferizajt. Sipas Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik në Ferizaj, këto raste janë në vetizolim.

Drejtoresha e kësaj qendre Sevdije Mehmeti, thotë se në Ferizaj gjendja është nën kontroll, por kjo mund të ndryshojë bazuar në rritjen numrit të rasteve në javën e fundit në nivel vendi, andaj qytetarët e kësaj komune nuk duhet të ndjehen komod, transmeton Televizioni Tema.

“Me lirimin e masave ka filluar shtimi i numrit të rasteve, kjo ka qenë e pritshme, por jo në këtë masë, qytetarët e kanë marrë si diçka që nuk është rrezik, përkundrazi tek tash është rreziku i madh, virusi po përhapet me të madhe tani, prandaj duhet t’iu përmbahemi masave, bartja e maskave patjetër, respektimi i distancës fizke, larja e duarve, mbajta e higjienës në ambiente të punës. Sinqerisht unë jam e pakënaqur shumë me situatën akutale dhe me sjelljen relaksuese të popullatës, kështu ne jemi duke rrezikuar shumë dhe jemi duke parë që kohën e fundit ka numër të kufizuar të testimeve për shkak se nuk ka teste të mjaftueshme e po ashtu edhe staf“, tha Mehmeti.

Mehmeti tha se nëse qytetarët nuk iu përmbahen rekomandimeve të autoriteteve të shëndetësisë, situata do të dalë jashtë kontrollit.

“Në bazë të rekomandimeve më të reja të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit të Shëndetit Publik testimet do të bëhen vetëm për personat me simptoma dhe atë vetëm pas vizitës së infektologut, personat e tjerë qofshin persona kontakti të drejtpërdrejtë ose të kontakteve janë të obliguar të qëndrojnë në vetizolim.Tash për tash ka mjaftueshëm kapacitete, por nëse vazhdon të shtohet numri i rasteve nuk kemi me arritë me i mbulu të gjitha, nëse vazhdon kështu është shqetësuese shumë dhe vetëm na mbetet të shpresojmë që nuk do të ketë shtim të numrit të rasteve gjithherë duke shpresuar tek qytetarët  që do t’u përmbahen rekomandimeve tona”, tha Mehmeti.

Nga 1 qershori  e deri dje  në Kosovë janë konfirmuar 1086 raste me koronavirus, duke bërë kështu që numri i të infektuarve përgjatë këtij muaji të jetë më i lartë sesa numri i të infektuarve që nga 13 marsi deri më 31 maj, kur ishin shënuar 1083 raste.

Duke parë këtë situatë, gjatë ditës së sotme Shtabi Emergjent i komunës së Ferizajt ka marrë vendim që të mos ofrohen shërbime për qytetarët që nuk janë të pajisur me masa mbrojtëse në të gjitha institucionet që janë në vartësi të komunës, po ashtu ka marrë vendim që të reduktoj esencialisht stafin punonjës të komunës, si dhe të shtojë inspektimet në lokalet afariste, veprimtaritë biznesore për zbatimin e masave mbrojtëse dhe manualin  për mbrojtje nga COVID-19 i dalë nga Qeveria e Republikës së Kosovës./Tv Tema