Nëpërmjet publikimit të një tjetër dokumenti të rrallë, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton se 50 vjet më parë Shqipëria u shpall vend ateist.
“Brenda vitit 1967 në qytetin e Durrësit u shkatërruan apo u mbyllën 60 xhami, 8 kisha dhe 5 teqe. Kjo valë u përhap në gjithë Shqipërinë, pa kursyer as pasurinë kulturore të tundshme apo të patundshme që ruhej nga institucionet fetare. Nga viti 1967 sjellim kronikën e shkruar nga Papa Mihali, prift i fshatit Vodhrishtë në Gjirokastër, i cili përshkruan ngjarjet e atij viti në vetë të parë. Kronika është shkruar në greqisht në faqen e titullit të një libri shërbesash. Këtu po japim përkthimin në shqip dhe transliterimin nga origjinali: “Më 25 shkurt 1967, ditë të shtunë, në orën 12 të mesditës, mbyllën kishën e enorisë së Vodhrishtës. Më 4-3-1967, ditën e shtunë, Mitropoliti Damian mblodhi të gjithë priftërinjtë e zonës së Gjirokastrës dhe na tha të rruhemi dhe të heqim rasot, siç dhe u bë. [u shkrua] për kujtim. Papa Mihali”