Ferizaj

4 kamionë me inventar shkollor vijnë nga Gjermania për shkollat e Ferizajt

By FerizajPress

June 09, 2017

Disa kamionë me ndihma në material shkollor kanë arritur sot në Ferizaj nga qyteti i Deggendorfit të Gjermanisë për disa shkolla të këtushme.

Kryetari i komunës së Ferizajt Muharrem Svarqa është shprehur i lumtur që fëmijët ferizajas do të kenë më shumë mjete konkretizimi për lëndët e ndryshme e veçanërisht për nisjen e një bashkëpunimi të ri me shkollat gjermane . Ai theksoi se mjetet kanë ardh nga një Gjimnaz në qytetin Deggendorff i cili ka rrënuar objekti e vjetër, por inventarin e ka sjellë në Ferizaj.

“Ne kemi marrë raportin falë zotit Holbruk i cili ka punuar jashtëzakonisht shumë për ardhjen e këtij donacioni. Shkollat tona kanë pasur shumë nevojë për këto lloj mjete. Ne shpesh nuk kemi mund t’i plotësojmë nevojat për shkak të kufizimeve buxhetore por edhe pot e blihej nga ne ky inventar nuk do të kishte këtë cilësi sepse këto mjete që kanë ardhur janë shumë pak të përdoruara nga Gjimnazi “Robert Koch” i cili i ka dhuruar për shkak se është ndërtuar një objekt i ri. 360 metra kub material ka ardhur nga Gjermania këtu. Brenda materialit ka shumë kompjuterë e mjete të tjera konkretizimi madje ka edhe një piano për shkollën e muzikës. Unë jam shumë mirënjohës për të gjithë ata që kanë kontribuar ndërsa shpresoj se do të rritet bashkëpunimi në mes Gjimnazit tonë dhe Gjimnazit të Deggendorfit. Natyrisht ne kemi nevojë shumë për bashkëpunim dhe përvojat gjermane janë të mirëseardhura në aplikimin e mësimit cilësor. Besoj se bashkëpunimi në arsim do të thellojë bashkëpunimet edhe në shëndetësi e fusha të tjera ku njerëzit kanë më shumë nevojë”, ka thënë kryetari Svarqa.

Ndërkaq mysafirët nga Gjermani u shprehën të entuziazmuar me mikpritjen e shkollave dhe institucioneve ferizajase. Premtuan edhe bashkëpunime të tjera.

“Mua më vjen mirë që pas një viti që kur kemi nisur përpjekjet dhe premtimet kemi arritur ta sjellim këtë kontigjent mobiljesh në Ferizaj dhe jam shumë i lumtur që ajo që u premtua para një viti po përmbyllet me sukses. Ka shumë gjëra brenda këtij kontingjenti që fëmijët ferizajas do të mund t’i shfrytëzojnë. Jemi shumë mirënjohës për Gjimnazin “Robert Koh” nga Deggendorfi dhe për institucionet siç është drejtoria e Arsimit. Dua t’i falënderoj edhe gjithë komunitetin shqiptar nga ky qytet të cilët kanë ndihmuar pa masë që të vijnë ndihmat këtu. Ne kemi pasur kontakte me shkollat e këtushme dhe me komunën të cilët na kanë treguar nevojat dhe kemi sjellur ulëse, banka, tabela mësimore dhe material përcjellës, që do t’u ndihmojë nxënësve të mësojnë më lehtë e të arrije suksese me shumë sepse po shihet që ka nxënës mjaft të mirë “ tha Christian Hoefbruckel udhëheqës i delegacionit gjerman.

Kontribut të veçantë për ardhjen e ndihmave shkollore ka dhënë edhe asambleisti ferizajas Xhevat Sallahi i cili është shprehur i lumtur për realizimin e këtij projekti. Ndërsa drejtori i shkollës fillore të mesme të ulët “Gjon Serreqi”, Milazim Derguti, tha se donacioni ishte më së i nevojshëm.

Me ardhjen e këtij donacioni në qytetin e Ferizajt, kanë arritur edhe 15 nxënës të gjimnazit ““Robert Koch”, të shoqëruar edhe nga profesori i tyre Enc Shutz, të cilët janë ndjere tejet të kënaqur me vizitën që bënë në Ferizaj. Ata janë pritur edhe nga kryetari i komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa.

Përfitues të materialit shkollor janë edhe shkollat Gjimnazi “Kuvendi i Arbërit” , shkolla e muzikës “Çesk Zadeja” si dhe shkolla fillore “Tefik Çanga”.