Ferizaj

31 universitete evropiane dhe 55 biznese në Panairin e Karrierës dhe Studimeve Jashtë Vendit sot në Prishtinë

By FerizajPress

May 12, 2022

Sot në hapësirat e Kolegjit Universum është mbajtur Panairi i Karrierës dhe Studimeve Jashtë Vendit, më i madhi i këtij lloji i mbajtur ndonjëherë në Kosovë.

Panairi u karakterizua me numër të madh të studentëve të interesuar për t’u kyçur në tregun e punës dhe të tjerëve për të vazhduar studimet në një nga universitetet jashtë vendit.

Nën organizimin e Kolegjit Universum, në Kosovë zbarkuan 61 përfaqësues nga 31 universitete prej 17 shtete nga Bashkimi Evropian dhe Turqia.

Përveç përfaqësuesve të universiteteve, në panair ishin pjesëmarrëse 7 ambasada me mision në Kosovë dhe 55 biznese që ishin të gatshme për të rekrutuar studentë në punë.

Hapja e panairit u bë nga profesori Filip Ruxho, i cili tha se bashkëpunimi me universitetet ndërkombëtare dhe bizneset aktive nderon aktivitetin dhe kolegjin.

“Kolegji Universum u kushton një rëndësi të veçantë kualitetit të studimeve  dhe në të njëjtën kohë i kushton vëmendje bashkëpunimit me industri, duke u ofruar studentëve praktikë dhe studime duale”, tha ai, teksa theksoi se 80% e studentëve të këtij kolegji kanë përfituar një kontratë pune.

Sipas tij, ky panair ka hapur dyert e shumë të rinjve për të ardhmen e tyre, teksa kanë pasur rastin të takohen edhe me ish-studentë të cilët kanë përfituar nga lidhja e Kolegjit Universum me universitetet ndërkombëtare.

“Kolegji Universum shquhet për programe të ndryshme ku studentët mund te vijojnë edhe praktikën. Falënderoj bashkëpunimin e kompanive. Shumë studentë dalin më kualifikime nga Kolegji Universum. Sot është një e ardhme për studentët tanë ku bizneset ofrojnë shumë mundësi për vende pune”, tha Ruxho.

Gjithashtu, ishte edhe drejtori i Kolegjit Universum, Alejtin Berisha i cili tha se ofrimi i mundësisë për studime jashtë vendit është një prej prioriteteve kryesore.

“Jam shumë krenar të them se, përveç që jemi institucioni më i ndërkombëtarizuar në Ballkan para Universitetit të Sarajevës, para Universitetit të Tiranës, 52% e të gjitha shkëmbimeve që ndodhin në Kosovë me universitete në Evropë, vijnë nga Kolegji Universum”, tha Berisha.

Me këtë rast ka folur edhe Kryetari i Aleancës Kombëtare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini i cili njoftojë se AKB-ja bashkërisht më Universum ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për avancim të karrierës me dituri, teksa shtojë se ekonomia ka nevojë për inovacion sepse janë themel i diturisë.

“Ftoj të gjithë bashkëpunëtorët që kjo hapje të jetë solemne. Ne po fillojmë me një frymë të ngrohtë me bashkëpunëtorë tanë. Panairi mbështet nga 31 pjesëmarrës. AKB bashkërisht më Universum ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për avancim të karrierës me dituri. Universumi është bërë lider”.

“…të gjitha këto shtete janë më shumë se marketing. Ekonomia ka nevojë për inovacion sepse janë themel i diturisë. Kjo është një e arritur e madhe prandaj ekonomia duhet të zhvillohet më shumë. Këtë vit do të kemi rënie më të madhe ekonomike 50%. E shpallim këtë panair të hapur për vizitorë”, tha ai.