Ferizaj.26.02.2018. Janë bërë 28 vjet kur me nismën e Anton Çetës nisi në Kosovë aksioni atdhetar e humanitar i faljes së gjaqeve, që mori përmasa të gjera, duke u përhapur anembanë vendit. Ky konsiderohet edhe si viti më i organizuar dhe më frytdhënës i kombit shqiptar që hyri në histori si vit i bashkimit e i pajtimit të popullit shqiptar kudo që jetonte, brenda trojeve etnike dhe mërgatë, u tha në një tubim të organizuar në amfiteatrin e Universitetit të Ferizajt. Në ceremoninë e këtij përvjetori, ish – veprimtari i Këshillit për pajtimin e gjaqeve në komunën e Ferizajt, Ismajl Hasani, tha se në atë kohë, njerëzit në krye me Anton Çetën, pajtonin ata që deri dje ishin armiq, për t’u bërë miq e vëllezër. ” Ndjenjat janë të përziera ngase shohim akterë të atëhershëm që kanë shkuar derë më derë duke bërë që njerëzit përfundimisht t’ia shtrijnë dorën njëri – tjetrit. Unë sot pyes veten ku u gjet kjo forcë edhe e të rinjve dhe të rejave që iu bashkuan aksionit për faljen e gjaqeve”, theksoi Hasani. Edhe nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Naim Ferati tha se gjatë ecjes panë se fundshekulli i kaluar ishte plot sfida. Siç theksoi në historinë e popullit shqiptar vend shumë të rëndësishëm zë edhe aksioni i faljes së gjaqeve. “Ky aksion ishte i mundimshëm, por rezultatet e tij ishin që kombi dhe populli ynë të stabilizohet, të kuptojë çka është vëllavrasja, çka është hakmarrja e çka falja. Parimi që gabimi është njerëzor, por falja është hyjnore- shërben edhe në këtë rast, ku njerëzit sakrifikuan shumë”, nënvizoi Ferati.
E, rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, Agron Bajraktari, tha se viti 1990 shënon një lëvizje të madhe në historinë e shqiptarëve. “Ishte koha kur aktivistët më të mëdhenj, njerëzit më të devotshëm mbështetur nga gjithë populli, filluan një unifikim për mbylljen e një plage që po lëngonte kudo ku kishte shqiptarë. Viti 1990 shënon një lëvizje të madhe në historinë tonë” , u shpreh Bajraktari.
Në ceremoninë e përvjetorit të 28-të të themelimit të këshillit të pajtimit të gjaqeve në Ferizaj, të pranishëm ishin edhe ish – veprimtarë të këtij këshilli, familjarë që falën gjaqet ndër vite etj.