Lajme

19 vjeçari pranoi fajësinë, u dënua me 5 vjet burg

By FerizajPress

February 20, 2017

Gjyqtarja Valbona Musliu shpalli fajtor të akuzuarin Puqolli, dhe e dënoi me 5 vjet burg, përfshirë këtu edhe kohën që ka kaluar në paraburgim nga tetori i vitit të kaluar.

Puqolli doli sot para trupit gjykues për ngjarjen tragjike të 6 tetorit të vitit të kaluar, kur pas një mosmarrëveshje me të ndjerin Bashkim Idrizi i shkaktoi këtij të fundit lëndime trupore të cilat shkaktuan vdekjen e viktimës.

“Unë nuk kam pasur qëllim me e mbytë, e kam respektuar si më të moshuar dhe ka qenë si një familjar”, tha i akuzuari Puqolli.

“Më vjen keq shumë për rastin që ka ndodhur dhe shpreh keqardhje për të ndjerin me të cilin për katër muaj rresht kemi jetuar në të njëjtën shtëpi dhe kemi kaluar jashtëzakonisht mirë me të dhe të njëjtit i kemi ndihmuar me ushqim ngase nuk e ka pasur askënd”, shtoi i akuzuari.

Me pranimin e fajësisë u pajtua edhe prokurori Ilaz Beqiri. Ai kërkoi që pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarit të merret si rrethanë lehtësuese në shqiptimin e dënimit.

“I pandehuri edhe në deklaratën që ka dhënë në prokurori në tërësi e ka pranuar fajsinë dhe në detaje e ka përshkruar rastin se si ka ndodhur, andaj i propozoj gjykatës se me rastin e sanksionit penal të merret si rrethanë lehtësuese fakti që i pandehuri e ka pranuar fajësinë”, tha prokurori Beqiri.

Sipas aktakuzës, më datën 06.10.2016, rreth orës 3:30, në shtëpinë ku banonte tanimë i akuzuari Puqolli dhe i ndjeri Idrizi, kishte filluar një fjalosje e cila rezultoi me vdekjen e këtij të fundit.

Në bazë të aktakuzës, derisa i akuzuari Puqolli dhe i ndjeri Idrizi ishin duke pirë alkool, i ndjeri Idrizi ia kishte hedhur fytyrës alkoolin të akuzuarit Puqolli dhe ky i fundit kishte filluar ta godiste me shqelma, grushta dhe me një mjet të paidentifikuar në kokë.

Si pasojë e dhunës fizike e shkaktuar nga i akuzuari Puqolli, i ndjeri Idrizi kishte ndërruar jetë, me ç’rast i akuzuari Puqolli është ngarkuar me veprën penale lëndim i rëndë trupor me pasoja vdekje. /Kallxo.com