Për aq kohë sa institucionet e Kosovës do të mund të kryejnë detyrat e tyre, siç është ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi si dhe rezultatet konkrete në luftën kundër korrupsionit, qytetarët e Kosovës do të mund të kenë liberalizimin e vizave, thonë analistë të integrimeve evropiane.
Ata iu bëjnë thirrje lidershipit të Kosovës që të mos humbin rastin që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm pa viza gjatë këtij viti. Afrim Hoti, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se liberalizimi i vizave është në duart e lidershipit të Kosovës.
“Për liberalizimin nuk e kemi humbur shancin për aq sa kohë ne kryejmë detyrat tona të cilat janë përsëritur dhe ripërsëritur dhjetëra herë dhe që më shpresë që së fundi po i japim zgjidhje, kam fjalën për demarkacionin, asociacioni dhe disa kritere të tjera siç është lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thotë Hoti.
Që nga muaji maj i vitit 2016 Komisioni Evropian i kishte propozuar Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian, heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës dhe vënien e Kosovës në listën e vendeve me qarkullim të lirë.
Nga ajo kohë, Kosova i kishte vetëm edhe dy kritere: ratifikimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, për të marrë miratimin përfundimtar për liberalizim të vizave.
Por, mosmarrëveshjet e spektrit politik bën që kjo marrëveshje e demarkacionit të mos ratifikohet ende në Kuvendin e Kosovës.
Jehona Lushaku – Sadriu, analiste e çështjeve politike në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se problemet e lidershipit politik janë reflektuar në humbjen e rasteve që Kosova ka pasur për liberalizimin e vizave. “Ne jemi vetëm të humbur, vetë vonesa paraqet humbje racionale të tre viteve ku kemi bërë një debat të kotë rreth demarkacionit rreth një çështje teknike e cila është dashur të jetë debat i mbyllur dhe të mos të shpenzojmë kohë. Përndryshe, de facto e kemi humbur rastin ta aprovojmë më kohë”.
“Shume prej shteteve mike e kanë humbur durimin me lidershipin e Kosovës për shkak të mosaprovimit të demarkacionit. Tani është një rast i fundit tejet i fundit që demarkacioni të aprovohet në kohë rekorde që të diskutohet liberalizimi i vizave gjatë këtij viti”, thotë Lushaku – Sadriu.
Javëve të fundit janë shtuar thirrjet e mekanizmave ndërkombëtarë drejtuar liderëve të Kosovës që të ratifikojnë marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.
Një thirrje të vazhdueshme është duke e bërë ministrja e Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha.
Ajo ka thënë se duhet gjetur një konsensus politik në mënyrë që marrëveshja e demarkacionit me Mali e Zi të ratifikohet sa më parë.
“Sa më parë që ta bëjmë ratifikimin e demarkacionit, aq më shpejt do ta gëzojmë lëvizjen e lirë. Ne duhet t’i përfundojmë obligimet tona ndërkombëtare. Qeveria është ë përkushtuar me këtë dhe besoj që në javët në vijim do të këtë lëvizje, sepse koha po kalon që viti 2018 të jetë vit i lëvizjes së lirë për qytetarët tanë”, ka thënë Hoxha.
Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë. Si e tillë, kjo marrëveshje ishte ratifikuar nga Kuvendi i Malit të Zi.
Derisa, mungesa e ratifikimit nga Kosova, ndërlidhet me kundërshtimet e brendshme nga një pjesë e spektrit politik, i cili vlerëson se me anë të kësaj marrëveshjeje, Kosova ka humbur mbi 8 mijë hektarë tokë. /REL/Telegrafi/