Pas disa ditëve që ka qëndruar e zhdukur e në kërkim nga Policia e Kosovës, 16-vjeçarja Viola Guri nga Kaçaniku u gjet në një qendër tregtare në Pejë. Mirëpo, vajza që kishte ikur nga shtëpia duke kërkuar një jetë më të mirë, ka refuzuar të kthehet në familjen e saj. Momentalisht ajo është duke qëndruar në strehimore, ndërkaq, nga familja janë deklaruar për Express se e kanë parë atë dje gjatë ditës.
Qëndroi e zhdukur për gati një javë, e kur u gjet, nuk pranoi të kthehej në familje, por zgjodhi strehimoren.
Viola Guri, 16-vjeçare nga Kaçaniku, u gjet dje nga Policia e rajonit të Ferizajt.
“Lidhur me rastin e raportuar nga familjarët, (11.02.2019), për zhdukjen e vajzës së tyre të mitur, pas një pune operative në terren dhe në koordinim edhe me Policinë Rajonale të Pejës, e mitura është gjetur sot në një Qendër Tregtare në Pejë, dhe e njëjta është sjellë në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Ferizaj. Me rastin janë duke punuar hetues të Sektorit Rajonal të Hetimeve në Ferizaj dhe pas përfundimit të procedurave ligjore, e mitura do ti dorëzohet familjes”, ka bërë të ditur policia.
Mirëpo, pavarësisht se u gjet nga Policia, ajo nuk pranoi të shkonte te prindërit e saj në fshatin Nikaj të Kaçanikut.
Në një bisedë për Express, babai i vajzës Agroni ka deklaruar se ajo është dërguar tashmë në strehimore dhe aty do të qëndrojë për një kohë.
Policia e Rajonit të Ferizajt ndërkohë nuk kanë bërë të ditur me kë e kanë gjetur vajzën, me arsyetimin se ajo është person i mitur.
Viola Guri nga fshati Nikaj i Kaçanikut kishte zgjedhur të ikë nga shtëpia në kërkim të një jete më të mirë, pasi që në familjen e saj po jetonte në kushte të rënda financiare.
Ajo kishte lënë edhe një letër, përmes së cilës u bënte të ditur prindërve se nuk do të kthehej më. /Express