Fermerët ferizajas edhe këtë vit, po përfitojnë serra me nga 300 metra katrorë si dhe sistem të ujitjes. Kështu bëri të ditur drejtori i bujqësisë në Ferizaj, Ismet Vranovci. Ai tha se ky projekt po realizohet pas procedurave që janë bërë për shpërndarjen e mjeteve për subvencionimin e fermerëve ferizajas.
“Në mesin e muajit shkurt kemi shpallur tenderin për furnizimin e fermerëve me serra dhe sistem të ujitjes pikë-pikë, ku tenderi ka shkuar në mënyrë të rregullt është nënshkruar kontrata. Komisioni ka përfunduar punën e vet, ndërsa janë përcaktuar 16 përfitues që do të përfitojnë nga serrë prej 300 metra katror dhe sistemin e ujitjes pikë-pikë”, ka thënë drejtori Vranovci, duke shtuar se përfitues e një serre është edhe shkolla e mesme e agrobiznesit “Zenel Hajdini” në Ferizaj.