Ferizaj

ASTROFER CAMP PERFUNDON ME SUKSES

By FerizajPress

August 18, 2016

Nga data 14 Gusht deri më  17 Gusht 2016 në fshatin Jezerc u mbajt kampi i parë i astronomisë në Ferizaj dhe më gjerë, i organizuar nga grupi joformal i astronomisë të qytetit të Ferizajt, Astro Fer Group, i mbështetur financiarisht nga UNICEF Innovations Lab Kosovo, si dhe i ndihmuar nga Komuna e Ferizajt.

Për tri ditë dhe netë të plota më shumë se tridhjetë të rinj dhe të reja kryesisht nga Ferizaj dhe rrethina, patën rastin të përcjellin ligjërata të ndryshme nga astronomia dhe të bëjnë vrojtime me teleskopë gjatë netëve, të cilat fatmirësisht ishin të kthjellëta dhe të volitshme për vrojtim të trupave qiellor.

Pjesë e këtij eventi edukativo shkencor, në cilësinë e mysafirëve ishin edhe klubi i astronomëve amatorë të Kosovës me seli në Prishtinë, të cilët dhanë një kontribut të çmueshëm në aspektin profesional dhe teknik të këtij kampi.

“Me shpresën që ky kamp i cili u dëshmua si i një rëndësie të veçantë, sa edukative po aq edhe shkencore, të përsëritet edhe viteve tjera, ne falënderojmë nga zemra të gjithë pjesëmarrësit e këtij kampi, klubin e astronomëve amatorë të Kosovës, si dhe UNICEF Innovations Lab Kosovo dhe Komunën e Ferizajt pa të cilët ky kamp nuk do të mund të mbahej”  ka thënë Lirak Hamiti themelues dhe koordinator i AstroFer Group në Ferizaj.