Ferizaj

10 ditë pasi u dogj, rinisin restaurimet në shkollën e parë shqipe në Ferizaj

By FerizajPress

March 24, 2023

Shkolla e parë shqipe në Ferizaj ishte e gatshme për t’u restauruar, por që u dogj një ditë pas nisjes së punimeve.

Akoma nuk janë zbardhur plotësisht rrethanat e djegies së saj, por kjo nuk ka ndalur Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në projektin e nisur.

I pari i MKRS-së, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se sot, 10 ditë pas zjarrit, punimet kanë rifilluar.

“Me 13 mars patën nisur punimet për restaurim. Në mëngjesin e hershëm të 14 marsit ndërtesës iu vu zjarri. Disa ditë zgjati angazhimi i zjarrfikësve. Pasi na u mundësua qasja, bëmë vlerësimin e dëmeve. I mobilizuam të gjitha kapacitetet për t’i mbyllur procedurat e nevojshme. Sot, vetëm 10 ditë pas zjarrvënies, punimet kanë rifilluar. Shkolla e parë shqipe (gjimnazi i vjetër) “Ismail Qemali” në Ferizaj do të restaurohet” ka shkruar Çeku në Facebook.