Ferizaj

1 muaj paraburgim ndaj B.D., i dyshuar për rrezikimin e trafikut publik me fatalitet

By FerizajPress

March 02, 2025

Ferizaj, 2 mars 2025 – Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit B.D., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale rrezikimi i trafikut publik nga neni 370 paragrafi 9 lidhur me paragrafin 6 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). 

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal Adem Shabani, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se me date 28 shkurt 2025, rreth orës 12:42, në rrugën nacionale Ferizaj – Kaçanik, afër një fshati në Ferizaj, duke drejtuar automjetin e markës “VW Golf”, nga pakujdesia ka vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore të Ligjiti për Rregullat e Trafikut Rugore, në atë mënyrë që në momentin kur automjeti i markës “BMW”, të cilën e drejtonte  V.V., tentonte të kyqet në rrugën kryesor tek dalja e lagjes “P”, mirëpo  me të pare të pandehurin me veturën “Golf”, ndalet, atëherë i pandehuri posa shef veturën “BMW” frenon, ik në të djathtë del jashtë rrugës dhe në pjesën e përparme të anës së majtë e godet automjetin “BMW”, në mes të dy dyerve në anën e majtë, i cili lëviz mbrapa dhe me pjesën e pasme të anës së djathtë e godet shenjën e trafikut, me ç`rast si pasojë e këtij aksidenti pasagjerja e veturës “BMW”, V.M., ka ndërruar jetë në Qendrën Emërgjente në Ferizaj, ndërsa vozitësi dhe pasagjeri tjetër i kësaj veture G.K.M., si dhe i pandehuri dhe pasagjeri i tij O.D., kanë pësuar lëndime trupore.

Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.