Lajme

​Pajaziti: PDK-ja s’ka vendosur ende a do ta mbështesë rrëzimin e Qeverisë  

By FerizajPress

May 08, 2017

Shef i grupit parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti, të hënën i ka thënë Gazetës Express se kjo parti i ka dhënë prioritet koordinimit me partnerët e koalicionit, para se të marrin vendim për votën në Kuvend ndaj mocionit. 

“Ende nuk kemi diçka të tillë”, tha Pajaziti, i pyetur nëse grupi i tij parlamentar ka marrë vendimin karshi mocionit të së mërkurës. 

“Ne i kemi dhënë si parti, siç e dini, prioritet koordinimit brenda koalicionit, edhe mbetemi të gatshëm dhe me shpresë që me u koordinu gjithë procesi për gjitha përgjegjësitë që i kemi”, tha tutje Zenun Pajaziti për Gazetën Express.

Por, nëse PDK-ja ende si grup parlamentar s’ka vendim për votim apo kundërshtim të mocionit, disa deputetë të saj tashmë e kanë dhënë nënshkrimin e tyre për mocion, gjë që i mundësoi javën që shkoi opozitës procedimin e tij në Kuvend.

E në ditën që ky mocion shkoi në Kuvend, zëvendëskryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme të kryesisë së partisë së Kadri Veselit, tha se deputetët e PDK-së janë të lirë në vendimet e tyre.

“PDK nuk i ka vendimet autoritare”, kishte deklaruar Kuçi të premten në mesditë. 

Ndryshe, pas procedimit në Kuvend të mocionit ndaj qeverisë Mustafa, për të hënën Qeveria e Kosovës kishte paraparë një mbledhje për procedimin e demarkacionit për votim nga deputetët, para testit të së mërkurës ndaj Qeverisë