Ferizaj

​Mbahet kuvendi zgjedhor në nëndegën e PDK-së në Luzern

By FerizajPress

February 19, 2022

Pas disa javësh aktivitete të deputetit Elmi Reçica në diasporë, Partia Demokratike e Kosovës ka nisur mbajtjen e kuvendeve zgjedhore të nëndegëve të saj në Zvicër.

Dhjetëra qytetarë të Kantonit të Luzernit me rrethinë morën pjesë të shtunën në kuvendin zgjedhor të nëndegës së PDK-së në Luzern ku me shumicë votash, kryetar u zgjodh Adhurim Krasniqi, ndërsa kjo nëndegë i zgjodhi edhe 13 anëtarë të kryesisë.

Në punimet e këtij kuvendi zgjedhor, mori pjesë edhe deputeti Elmi Reçica, njëherësh udhëheqës i Departamentit të Diasporës në PDK.

Ai tha se ndihet shumë falënderues ndaj të gjithë qytetarëve shqiptarë në diasporë që po e mirëpresin dhe mbështesin fuqishëm rikthimin e aktiviteteve të Partisë Demokratike në diasporë.

Reçica ka shkruar në faqen e tij në Facebook se PDK do të jetë gjithmonë pranë diasporës.

“Pas disa javësh plot me aktivitete politike me bashkatdhetarët tanë, të shquar për sukseset e arritura në fusha të ndryshme, sot në Luzern të Zvicrës u mbajt Kuvendi i nëndegës së Partisë Demokratike të Kosovës. Në këtë mbledhje ku ishin të pranishëm shumë veprimtarë, të rinj e intelektualë, kryetar u zgjodh aktivisti i palodhshëm i Rinisë Demokratike të Kosovës, Adhurim Krasniqi. Një falënderim të veçantë për themeluesin e kësaj nëndege, aktivistin e palodhshëm Brahim Dreshaj. Partia Demokratike e Kosovës do ta vazhdojë ta shtrijë aktivitetin e saj në çdo vend ku jetojnë bashkatdhetarët tanë, për ta ndërtuar së bashku vizionin e ri për të ardhmen e vendit tonë”, tha Reçica.

Kryetari i ri i nëndegës së PDK-së në Luzern, Adhurim Krasniqi, falënderoi të gjithë delegatët e kuvendit zgjedhor për mbështetjen dhe besimin e dhënë.\