Lajme

​Edi Rama e quan të lodhur objektin e komunës së Prishtinës

By FerizajPress

April 07, 2016

Pas takimit që pati me kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka takuar sot edhe kryetarin e Prishtinës Shpend Ahmeti, me c’rast kanë biseduar për gjendjen aktuale politike në vend si dhe objektin e Prishtinës të cilin Edi Rama e quajti të lodhur.

Pas takimit mes tyre, në një prononcim disa sekondash për media, i pari i Prishtinës tha se nga kryeministri Rama kishte dëgjuar kritika miqësore të cilat sipas tij janë në të mirë qytetarëve të Kosovës.

Ahmeti: Dëgjova edhe rekomandimet edhe kritikat miqësore nga kryeministri Rama

 

“Unë pata kënaqësinë që sot ta pres në takim kryeministrin e Republikës së Shqipërisë Edi Rama me të cilin diskutuam për zhvillimet e fundit politike në Republikën e Kosovës. Me ç’rast si gjithmonë unë i dëgjova edhe rekomandimet edhe kritikat miqësor, të cilat zotëri Rama na i përcolli edhe mua si kryetar por edhe në përgjithësi subjekteve opozitare për të mirën e Kosovës, për të ardhmen e Kosovës dhe si gjithmonë ishte një bisedë miqësore, unë falënderoj shumë për vizitën që bëri dhe që gjeti kohë të na vizitojë komunën e Prishtinës”, tha Ahmeti.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se në bisedë me të parin e Prishtinës nuk pati kritika, por vetëm i kishte shprehur opinionet e tij miqësore.

Rama shpreson se qytetarët dhe kryetari i Prishtinës do ta ketë një objekt më të mirë, sepse siç e quajti ai, objekti i tanishëm është i “lodhur”.

Rama: Shpresoj se Komuna e Prishtinës do ta ketë një godinë më pak të lodhur se kjo tani

“Unë besoj se çka tha kryetari është e mikpritjes vëllazërore dhe bujarisë, sepse nuk pata asnjë kritikë. Unë thjesht shkëmbeva me kryetarin disa opinione shumë miqësore si gjithmonë dhe e pata ngrohtësisht miqësinë që ta vizitoj në zyrat e tij në komunë dhe të dëgjoj nga zëri i tij që më herët se vonë kryetari i Prishtinës do të ketë një godinë komune më pak të lodhur se kjo dhe që të jetë më shumë pasqyra e ambicies e kryetarit të qytetarëve të Prishtinës për kryeqytetin e Kosovës”, tha Rama.

Vlen të theksohet se ky takim u mbajt nën masa të rrepta sigurie ku objekti i komunës së Prishtinës ishte rrethuar me pjesëtarë të Policisë së Kosovës si dhe sigurim privat të dy figurave politike./E.Haliti/