29,03,2024

Zgjedhjet, sfida e morali politik!

Must Read

Me mocion mosbesimi, iu dha fund qeverisjes së vendit, që dikur komentohej si koalicioni i vendimeve të mëdha, që në fakt doli të jetë krejt ndryshe, koalicion i trazirave, i gazit, jo vendimmarrës, i pafuqishëm për t’i shtyrë proceset përpara.

U bë mirë që ra qeveria! U hap mundësia për ndryshime të qeveritarëve, me shpresë që të vihet në krye të vendit njerëz që kanë guximin të marrin vendime të mëdha.

Ende pa filluar fushata zyrtare, filloi beteja për t’i joshur votuesit që të japin besimin te njerëzit që mendohet se mund të sjellin të mira për qytetarët e vendit.

Sikur më herët, edhe kësaj radhe qyteti ynë do të jetë i mangët me përfaqësim në nivelin qendrorë, për shkaqe që tani më janë të njohura. Lidhja e koalicioneve të mëdha parazgjedhore, ka hendikepuar qytetin tonë, duke i tkurrur listat, për t’i përmbushur ambiciet e njerëzve që dikur nëpër mjetet e informimit ishin analistë, gazetarë, e besa edhe të atillë që i përkisnin shoqërisë civile, të cilët asnjëherë nuk reshtën së kritikuar për keq qeverisje, për kapje të shtetit, për sistem mafioz, e deklarime nga më të ndryshmet. U pa haptas, që këta persona, gjithë këtë zhurmë e bënë për ta rritur pazarin e tyre, apo më mirë të themi për të bërë një pozitë të mirë brenda partive në të cilat u rreshtuan, se sa që u dëgjuan për të mirën e qytetarëve. U ka dal “boja” këtyre njerëzve që mundoheshin të sjellin për opinionin vërejtjet e tyre lidhur me keq qeverisjen, sepse edhe ata nuk do të kenë mundësin të bëjnë ndryshe, sepse nuk janë mundësitë.

Ajo që të bjerë në sy, sigurisht për së keqi, është qasja në zhvillimin e fushatës elektorale. Si duket, dy partitë më të mëdha PDK e LDK, kishin arritur një pajtueshmëri lidhur me mocionin e Kuvendit të Kosovës, sepse ata menjëherë mblodhën rreth vetes partitë e vogla, për ta sfiduar kundërshtarin e tyre, por ajo që mbetet për tu studiuar në përpikëri është akuzat e ndërsjella në mes tyre.

Mbetet e papranueshme për shumë qytetarë të vendit drejtimi i fushatës me akuza e diferencime të pamatura. Në një debat publik dëgjova se kjo fushatë është në mes Komandantëve të UÇK-së e Akademikëve Paqësorë. Pa maturi politike, degradim i skenës politike, kthim në kohën e pasluftës. Vetë drejtimi i fushatës, ka për t’i irrituar njerëzit, krijon tensione ndërmjet militantëve partiak, sikur në kohën e pasluftës.

Nëpër kohë të ndryshme Komandantët e UÇK-së dhe Akademikët Paqësorë kanë pasur meritat dhe dobësitë e tyre, për të cilat nuk mund të mohosh veprimtarit e tyre. Komandantët e UÇK-së ishin ata të cilët i shërbyen vendit nga frontet e luftës duke u përballur me makineritë serbe, por e njëjta gjë ishte zhvilluar edhe me krahun paqësorë, të cilët me mjete paqësore mundoheshin t’i përmbusheshin aspiratat e tyre politike.

Këto janë dy epoka që u ka kaluar koha.

Jetojmë në shekullin e zhvillimit, në shekullin  fjalës së lirë.

Si duket politikanëve të ditëve të sotme, nuk u ka mbetur shumë për të prezantuar, e doemos duhet tu përkujtojnë votuesve se nga vijnë, për të cilën gjë konsiderojë se populli nuk ka nevojë për kujtesë, është mirë i informuar.

Epoka e UÇK-së, është një kapitull i mbyllur, ku nuk mund të kontestohet lavdia e saj për çlirimin e vendit, sikur që është e mbyllur epoka e politikës paqësore.

Në ditët e sotme, politikanët vizionarë asnjëherë nuk u kthehen të kaluarës, sepse me vizionin e tyre janë ballëhapur para votuesve të vet, paraqesin oferta serioze në zhvillimin e vendit, krijim të kushteve normale për qytetarë, pa patur nevojë t’i kthehen të kaluarës.

Apel prej qytetari.

Mos krijoni përçarje në popull. Lëreni të vendos vetë, pa patur nevojë të hedhni benzin në zjarrin i cili është i ndezur pranë tyre.

 

 

      

 

MA: Nexhat Shahini

(Magjister i Historisë)

 

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Prof. Asoc. Dr. Arbresha Meha sjell inovacion dhe praktika të mira të bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe industrisë nga Austria në Kosovë

Në një kohë kur bashkëpunimi ndërmjet akademisë dhe industrisë po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për zhvillimin e...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img