19,04,2024

Vizat mund të mos hiqen deri në fund të 2019-s

Must Read

Skenari më pozitiv është që vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën të merret gjatë këtij viti, megjithatë nuk përjashtohet mundësia që ky proces të shtyhet deri në fund të vitit 2019, shkruan Gazeta “zëri”.

Liberalizimi i vizave për Kosovën rrezikon të mos ndodhë deri në pjesën e dytë të vitit 2019, megjithëse pritjet janë që vendimi të merret brenda këtij viti. Ditë më parë presidenti Hashim Thaçi ka thënë se liberalizimi mund të mos ndodhë deri në vitin 2020 nëse pushteti dhe opozita nuk argumentojnë para vendeve të Bashkimit Evropian se janë plotësuar kriteret për liberalizim. Megjithatë opozitarët dhe njohësit e integrimeve evropiane thonë se tani vendimi për heqjen e vizave varet nga vullneti i shteteve anëtare të BE-së, ndërsa nuk e përjashtojnë mundësinë që heqja e regjimit të vizave për kosovarët të mos ndodhë deri pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, respektivisht deri në fund të vitit 2019.

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka thënë për gazetën “Zëri” se opozita në Kosovë luan një rol të rëndësishëm në proceset integruese, megjithatë në takimin me Grupin COWEB deputetët e Vetëvendosjes kanë qenë destruktivë duke mos i pranuar të arriturat e Kosovës.

“Opozita duhet të jetë konstruktive sidomos kur bëhet fjalë për interesin e qytetarit. Askush nuk mund të lirohet nga përgjegjësia që ka, deputetët e opozitës janë votuar dhe përfaqësojnë qytetarët e vendit. Fatkeqësisht deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë qenë destruktivë në takimin e fundit me COWEB-in duke mos i njohur reformat e bëra, gjë që mund të ndikojë negativisht në procesin e liberalizimit të vizave”, ka deklaruar Hoxha

Pavarësisht kësaj, ministrja Hoxha nuk ka dashur të flasë rreth mundësisë që liberalizimi i vizave të shtyhet edhe më tutje. Ajo ka thënë se gjasat reale janë që vendimmarrja të përmbyllet këtë vit nëse ka vullnet politik te shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. “E kam thënë edhe më herët se nuk mund të kemi datë të caktuar për liberalizim sepse nuk varet nga institucionet e Kosovës. Ne kemi kryer pjesën tonë, kemi plotësuar 95 kriteret nga Udhërrëfyesi dhe Komisioni Evropian e ka konfirmuar punën tonë. Unë besoj se ka gjasa reale që sivjet të përmbyllet procesi i vendimmarrjes nëse ka vullnet nga shtetet anëtare”, ka përfunduar Hoxha.

Edhe kryetarja e Komisionit për Integrimeve Evropian, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se tani liberalizimi i vizave është në duart e Bashkimit Evropian dhe se Kosovës i mbetet vetëm të intensifikojë lobimin. “Tani çështja është te Këshilli i Ministrave të BE-së dhe nuk është më çështje e Kosovës, prandaj Kosovës i mbetet vetëm të vazhdojë lobimin, duhet të kemi një intensifikim të lobimit gjatë këtij dymujori. Pastaj i mbetet Këshillit të Ministrave të marrë vendimin”, ka deklaruar Deliu-Kodra.

Sipas saj, në ditët në vijim do të ketë intensifikim të lobimit, duke përfshirë edhe Kuvendin e Kosovës. “Do të ketë një intensifikim në ditët në vazhdim. Edhe në takimin e fundit të Komisionit kemi pasur një dakordim që të ketë intensifikim të lobimit, që edhe Kuvendi të ketë një rol përkrah Qeverisë dhe institucioneve tjera”, ka shtuar deputetja e PDK-së.

Salihu: Gjasat janë që të mos ketë liberalizim deri pas zgjedhjeve për PE-në

Kurse deputeti i Partisë Socialdemokrate, Sali Salihu, ka thënë se pushteti në vazhdimësi po mundohet që përgjegjësinë për dështim në procesin e liberalizimit të vizave ta hedhë tek opozita. “Vazhdimisht kanë vepruar kështu, duke u munduar që fajin për dështimin e tyre ta hedhin tek opozita. Ju kujtohet në rastin e demarkacionit me Malin e Zi thoshin se ajo ishte pengesë, por demarkacioni ka kaluar dhe ende nuk ka liberalizim. Pushteti vazhdimisht ka gjetur arsye tjera që fajin t’ia atribuojë opozitës, por në fakt opozita nuk ka faj dhe fajtori dihet – është Qeveria dhe presidenti”, ka deklaruar Salihu.

Sipas tij, presidenti Hashim Thaçi tani po bën përpjekje që liberalizimin e vizave ta ndërlidhë me dialogun me Serbinë, në mënyrë që sa më shpejt ta arrijë marrëveshjen. Salihu ka thënë se gjasat reale janë që liberalizimi i vizave të mos ndodhë deri pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian. “Ka gjasa reale që liberalizimi i vizave të mos ndodhë këtë vit. Ky proces tani varet nga Këshilli i Ministrave të BE-së dhe vitin e ardhshëm janë zgjedhjet për Parlamentin Evropian, prandaj BE-së nuk i ngutet siç na ngutet neve”, është shprehur Salihu.

Skenari më pozitiv është që vendimi të merret këtë vit

Njohësi i integrimeve evropiane Taulant Kryeziu ka thënë se duhet pasur parasysh se liberalizimi i vizave është proces teknik me vendimmarrje politike. Sipas tij, pasi procesi të kalojë në kuadër të Grupit Punues për Viza (COWEB) dhe në nivel të ambasadorëve të njohur si COREPER, nëse ka dakordim çështja kalon në Këshillin e Ministrave.  “Këshilli i Ministrave ka takime në tetor e në dhjetor dhe unë vlerësoj se skenari pozitiv do të ishte që së paku vendimmarrja të përfundojë brenda këtij viti, çdo skenar tjetër që e kalon majin e vitit të ardhshëm janë skenarë dekurajues dhe prodhojnë lajme jo të mira për qytetarët e Kosovës”, ka vlerësuar Kryeziu.

Sipas tij, liderët institucionalë nuk duhet të japin data se kur do të ndodhë liberalizimi, pasi vendimmarrja është politike dhe varet nga vullneti i shteteve anëtare të BE-së. Kryeziu ka thënë se në bazë të votimit në Parlamentin Evropian, hezitime për liberalizimin e vizave për Kosovën kanë shtetet si Holanda, Gjermania e Franca.

“Në bazë të votimit në Parlamentin Evropian kemi parë që shtetet si Holanda, Franca dhe Gjermania kanë hezitime, gjë të cilën pak a shumë e kam paralajmëruar tash e shtatë muaj. Ne duhet të krijojmë sistem kredibil dhe t’i bindim vendet anëtare që kanë frikë nga migracioni… Duhet të punojmë që t’i bindim në Paris, në Bruksel apo kudo tjetër në qendrat ku ka hezitime”, ka shtuar Kryeziu.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal nënshkruajnë Memorandum për bashkëpunim në Zhvillimin Rajonal

Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Dr. Agron Bajraktari, dhe ministri i Ministrisë të...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img