Ferizaj

Hapet tenderi për ujësjellësin në Bibaj dhe Fshatin e Vjetër


Publikuar më:


Sot është publikuar tenderi për ndërtimin e ujësjellësit për fshatrat Bibaj dhe Fshat i Vjetër të Ferizajt, një nga projektet më të rëndësishme, realizimi i të cilit pritet t’i plotësojë kërkesat e kahmotshme të këtyre dy fshatrave për ujë të pijshëm.

Vlera e parashikuar e kontratës është 1.8 milionë euro, ndërsa gjatësia e tubacionit – rreth 33 mijë metra. Në tender parashihet edhe ndërtimi i dy stacioneve të pompimit.

Bëhet e ditur se në fazën e parë Bibajt dhe Fshati i Vjetër do të furnizohen me ujë nga ujësjellësi i qytetit, derisa të bëhet gati fabrika që pritet të ndërtohet afër Talinocit të Muhaxherëve, e cila do të përpunojë rreth 80 litra ujë në sekondë dhe do të ofrojë furnizim me ujë pjesën e qytetit dhe për fshatrat e pjesës lindore të Ferizajt, të cilat ende nuk e kanë zgjidhur çështjen e ujit të pijes.

Me realizimin e këtij projekti, bëhet thellimi i bashkëpunimit të Komunës së Ferizajt me Qeverinë e Zvicrës, si donatori kryesor për çështjen e ujit të pijes në Ferizaj e rrethinë. Edhe kësaj radhe, zbatues i projektit është organizata CDI.

Udhëheqja komunale e Ferizajt tha se do ta mbështesë me të gjitha mundësitë realizimin e projektit të ujësjellësit për Bibajt dhe Fshatin e Vjetër, si dhe realizimin e projekteve të tjera për fshatrat që ende nuk e kanë zgjidhur çështjen e furnizimit me ujë.

Comments
To Top