23,04,2024

Trashëgimia shpirtërore në rrethinën e Ferizajt

Must Read

Krahas trashëgimisë kulturore në rrethinën e Ferizajt, e rëndësishme mbetet për hulumtim trashëgimia shpirtërore, e cila deri më tani, asnjë herë të vetme nuk është eksploruar nga ndonjë autorë ferizajas. Konsideroj se trajtimi i kësaj fushe është dukur fushë e thatë, për të cilën duhej kërkuar shumë punë e mundë. Pavarsishtë mos gatishmërisë për të ju përveshur punës shkencore në këtë drejtim, nuk duhet harruar pa potencuar iniciativës institucionale, në theks të veçantë MKRS (Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit), e cila gjatë vitit të kaloi ka angazhuar personel të punës për identifikimin e kësaj fushe, e cila në fund rezultoi me pasuri të shumta të kësaj pjese të trashëgimisë kulturore në përgjithësi.
Me termin trashëgimi shpirtërore nënkuptojmë, format e shprehjes kulturore të traditave ose të zakoneve popullore, të gjuhës, festave, riteve, valles, muzikës, këngës dhe shprehjes artistike.
Vendbanimet tek shqiptarët, qysh në mesjetë, kishin arritur një stabilitet dhe kishin kufij të përcaktuar mirë, që ndanin një fshat nga të tjerët. Kufijtë shënoheshin me gurë të mëdhenj të ngulur në tokë (mexhat), me rrjedhën e përrenjëve e të lumenjëve, me shenja në trungjet e drurëve, atje ku kishte pyll, etj. Lëvizja e këtyre shenjave konsiderohej një faj shumë i rëndë. Çdo fshatar i njihte mirë kufijtë e fshatit të vet dhe mund t’i tregonte me lehtësi, duke përmendur toponimet përkatëse. Përbrenda kufijve të fshatit, përfshiheshin trojet e banesave, e përqark tyre, oborret e kopshtet, pastaj vinin arat ose tokat e punuara dhe më tej kullotat dhe pjesa e malit, që i përkiste fshatit.
Ferizaj si vend relativisht i ri ka ruajtur traditën e vjetër , ku ka edhe një diversitet në tradita, të cilat mund të themi se në mënyrë fanatike ruhet edhe sot. Ajo ka karakteristikat e saja të veçanta, por jo që dallohet në thelb nga rrethet tjera. Edhe pse ka pas ndikime të kulturave tjera, ferizajasit akoma i ruajnë zakonet e vjetra, këngët, lojërat, veshjen dhe të gjithë simbolet tjera etnografike.
Kohët e gëzimit – Edhe në ditët e sotme me një reduktim të madhë, rastet e gëzimit e të hidhërimit, janë po thuaj të natyrës së njëjtë që ishte dikur, me disa ndryshime, të cilat i kërkoi koha. Ne teritorin e Ferizajt me rrethinë, akti i fejesës gjithashtu ishte një ditë festive, ashtu sikur të ishte dasmë. Gëzohej e tërë shtëpia, gëzoheshin edhe farefisi, të cilët organizonin këngë në taborrin ku ndodheshin anëtarët e shtëpisë së djalit të fejuar, vajzat, mbesat e të afërmit i’a thonin këngës sikur në dasmë.
Sikur dikur, edhe në ditët e sotme sjellja e një fëmije në jetë është gëzim. Në ditët e sotme dallon nga kohët e shkuara, pasi që dikur kur me çdo kusht nusja duhej të lindte fëmijën e parë të gjinisë mashkullore, ky zakon në ditët e sotme nuk ekziston, me përjashtim të disa vendeve të thella malore, ku ende mbetën me kohët e kaluara, ku doemos fëmija i parë duhet të jetë i gjinisë mashkullore. Sot fëmijët e të dy gjinive konsiderohen të barabartë, për të cilën edhe festat janë pothuaj se të njëjta.
Dasmat që dikur organizoheshin nëpër shtëpitë të cilat martonin meshkujt e shtëpisë, kjo formë e organizimit, në ditët e sotme është zëvendësuar me ritet moderne, duke lënë në harres të kohës kohët e shkuara. Dikur dasmat kishin kulturë të gjerë prezantimi, qoftë në fushën e etnologjisë, riteve e zakoneve, të cilat sot konsiderohen rite të cilat nuk kanë vend në dasmat e tyre. Në të kaluarën nusja me djalin fare nuk njiheshin, për të cilën konsideroj se më mirë është në ditët e sotme, por atëherë kishte stabilitet në lidhjen e një qifti bashkëshortorë, sot ky fenomen nuk ekziston. Qiftet në ditët e sotme, mundë të ndahen edhe për gjërat më banale, dikur nuk ishte kështu. Deri tek ndarja mundë të vinte, nëse ziheshin duke tradhtuar njëri tjetrin, duke fshehur nga njëri tjetri dukurit negative, ndërsa në ditët e sotme ato mund të ndahen qoftë edhe për një fjalë.
Kohët mortore – Edhe kohët mortore në rrethinën e Ferizajt, përkundër dhembjes që kishin familjarët që kishin humbur njeriun e tyre, prapë se prapë duhej të kishte një mbarëvajtje në ecurinë e ditës së varrimit, pasi që konsiderohej se një sjellje jo e mirë e anëtarëve të shtëpisë, një organizim mortorë i shpërfillur, konsiderohej dështim para të pranishmëve, prandaj edhe kjo ditë kishte specifikat e veta mortore. Zakonisht në të kaluarën ditët mortore organizoheshin së bashku me burrat e fisit, të cilët për gjithë kohën sa vendoste të kishte derën e hapur i zoti i shtëpisë që kishte ditë mortore, këta bura, fisi ishin të obliguar të qëndronin aty, duke u shkëputur plotësisht nga punët e shtëpisë. Zakonisht koha e derës së hapur për kryeshnoshë shkonte edhe me muaj, gjë që nuk është në ditët e sotme, pasi që në mungesë të transportit modernë, në mungesë të mjeteve të informimit, kryefamiljari ishte i obliguar që të mbante derën e hapur me muaj, për ti dhënë mundësi edhe mikut më të largët që të vije për kryeshnoshë.
Në disa vende të rrethit të Ferizajt, në ditët mortore, nga burrat e fisit edhe mbështetej financiarisht familjari i cili kishte ditë mortore. Burrat e fisit e dashamirët, në formë rendore organizonin dhënjën e ushqimit për të pranishmit gjatë këtyre ditëve mortore. Kjo dukuri edhe në ditët e sotme është prezent, jo në të gjithë rrethin, por që sot ditët e familjarit për ngushllime ishin më të shkurtura. Para luftës kjo mënyrë e pritjës ishte edhe me dy javë, pas luftës u kthye në një jave, me pesë ditë e së fundmi edhe me tre ditë
Mikpritjen ferizajase – Ferizajasit janë njerëz të shquar, kanë traditë dhe mikpritje. Në shtëpitë ferizajase, edhe në të kaluarën, por edhe në ditët e sotme, miku, mysafiri i shtëpisë, duhet të shërbehet me ushqimet më të mira që ka shtëpia, me pjata të mbushura, prodhime dhe gatesat ndër më të mira.
Dikur për mysafirin i cili vendoste të vizitonte të afërmit e tij në rrethinën e Ferizajt, për pos ushqimeve të cilat servoheshin nga më të mira, për ta nderuar mikun i cili ishte për vizit, në odën e burrave, kryefamiljari i cili kishte mikun në shtëpi, njoftonte burrat e fisit e të fshatit, ku edhe organizoheshin lojëra të ndryshme tradicionale, gjithnjë duke pasur në konsideratë praninë e mikut në shtëpi.
Etnografia ferizajase – Fshatrat të cilat rrethojnë qytetin e Ferizajt, në theks të veçantë ato malore me klimë të ftohtë, në të kaluarën ishte mjaft e zhvilluar blegtoria, ku nga ato kafshë të imta siguroheshin edhe materialet e nevojshme (leshi i dhenve) për rregullimin e veshjeve tradicionale, të cilat në kohët e kaluara, po thuaj se të tërat ishin të rregulluara nga leshi si: çorapë, xhemperë, jelek, shall, kapela, dorëza, por edhe veshje të brendshme. Veshje me e vjetër e gruas sonë është ajo tradicionale. Me kalimin e kohës, këto veshje u zëvendësuan me ato të kulturave të tjera, ato të cilat kishin shtrirë ndikimet në vendin tonë, siç ishte periudha e Perandorisë Osmane, ku veshja tradicionale filloi të zëvendësohej me kultura turke, të cilat ndryshonin plotësisht nga veshja e vjetër tradicionale vendase.
Veshja e burrave është ruajtur origjinale-veshja, por jo edhe në ditët e sotme, pasi që ajo tani më veç se është zhveshur nga ai zakon që kishte dikur. Pavarësisht shtrirjeve të ndikimeve të ndryshme, në kohë okupimi, veshja e meshkujve mbeti pothuaj se e paprekur nga ndikimet. Më e vjetër është ajo me tirqe, të cilat ishin të ndërtuara nga leshi i dhenve, nëpër valavicat që ndodheshin në rrjedhën e lumit Nerodime. Si zakon që ishte mjaft i rëndësishëm për shoqërinë shqiptare të anës së Ferizajt, ishte edhe bartja e plisit tek gjinia mashkullore (plisi i bardh), qysh në moshën e re, për të qenë të dallueshëm nga komunitetet tjera të cilat jetonin atyre kohëve në mesin e shqiptarëve, ndërsa edhe tek femrat përdorej një mbulesë, për kokë (shami) e cila qëndisej me modele të ndryshme dhe e ndryshme nga femrat e tjera joshqiptare.
Kjo trashëgimi jo materiale përcjellur brez pas brezi, është krijuar ndër shekuj e në vijimësi nga bashkësitë e grupet në funksion të mjedisit të tyre, të ndërveprimit të tyre me natyrën, të historisë së tyre, i’u jep atyre ndjenjën e identitetit e vazhdimësisë, duke ndihmuar kështu për promovimin e respektit për diversitetin kulturorë e të krijimtarisë tradicionale njerëzore.
Në trashëgiminë kulturore shpirtërore (jo materiale) bëjnë pjesë:
•Përdorimi i gjuhës në veprat letrare;
•Folklori gojor i ruajtur në kujtesë;
•Folklori i shkruar ose i regjistruar;
•Folklori vokal e instrumentalë;
•Zakonet e doket tradicionale;
•Besime dhe besëtytni të traditës;
•Zeje të ndryshme tradicionale etj
Thënie; ,,Çdo popull, nëse nuk ka të identifikuar rrugën nga vjen, e nga duhet të shkoj, konsiderohet i humbur” .!
Shpresoj, se një ditë edhe kjo fushë kaq e rëndësishme për vendin, do ta ketë një përkujdesje më të mirë institucionale, për të pasur mundësi rrëfimet e dokumentuara për gjeneratat e reja, për rrugën se nga kemi ardhë.

MA: Nexhat Shahini 28.03.2018
(Magjister i Historisë)

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Gjen kuletën me 320 euro, qytetari nga Ferizaj e dorëzon në polici

Një qytetar nga Ferizaj ka gjetur një portofol me para dhe ka dorëzuar atë në polici. Policia njofton se në...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img