19,04,2024

Teatri i Ferizajt nis grumbullimin e materialeve arkivore

Must Read

Këshilli Drejtues dhe menaxhmenti i teatrit ”Adriana” në Ferizaj,  kanë nisur grumbullimin e materialeve të ndryshme arkivore që kanë të bëjnë me funksionimin e jetës teatrore në Ferizaj ndër vite. Lidhur me këtë ata kanë ftuar të gjithë qytetarët, krijuesit, aktorët, regjisorët, producentët, skenografët, muzicientët, gazetarët e shikuesit pasionant të shfaqjeve teatrore që t’i ndihmojnë teatrit me sjelljen e të gjitha materialeve që konsiderohen me vlerë dhe që flasin për historikun e skenës teatrore të qytetit tonë. Anëtari i Këshillit Drejtues të teatrit “Adriana” Albion Sherifi, thotë se materialet mund të jenë nga më të ndryshmet.

“Kjo nismë po merret për konkretizimin gjegjësisht krijimin e arkivit të teatrit “Adriana” që nënkupton grumbullimin e gjithë fletëpalosjeve, materialeve të ndryshme, shkrimeve në gazetë dhe të gjitha formave të tjera të komunikimit publik pa saktësuar periudhën kohore se kur janë grumbulluar apo janë arkivuar këto në arkivat personale të këtyre individëve, andaj një ftesë e tillë i është drejtuar qytetarëve ferizajas, por edhe më gjerë duke përfshirë regjisorët, ata që kanë dhënë kontributin me vite në teatrin “Adriana” në mënyrë që të sjellin materialet e tyre. Këto materiale normalisht do të evidentohen nga menaxhmenti i teatrit në mënyrë që të krijohet arkivi dhe me këtë dokumentacion do të nisim edhe krijimin, propozimin e monografisë të teatrit “Adriana” tash kur kemi hyrë në vitin e 50 të Festivalit të Teatrove, por edhe një vit i gjatë i funksionimit të skenës sonë teatrore ose artit dramatik në komunën e Ferizajt”, u shpreh Albion Sherifi.

Udhëheqësi i teatrit të Ferizajt Fatmir Hyseni, shprehet optimist se qytetarët do të ndihmojnë në gjetjen e materialeve.

“Besoj që do t’i përgjigjen kësaj thirrje ku dihet që Kosova e ka përjetuar një luftë dhe të gjitha arkivat e teatrit, por edhe të institucioneve të tjera ose janë marrë nga Serbia ose janë djegur dhe kjo është një iniciativë e cila duhet të dëshmojë që teatri ka jetuar shumë gjatë dhe qytetarët kanë, besoj që kanë materiale të ndryshme dhe të gjitha materialet edhe një biletë qoftë e një periudhe të caktuar është mirë që të dorëzohet në teatër që të kemi një arkiv sado pak që të rinjt të informohen që teatri ka qenë aktiv qysh nga Lufta e Dytë Botërore e edhe më herët, mirëpo duhet të kemi dëshmi, fakte, xhirime çfarëdo që ka nga qytetarët,  edhe fotografi, shkrime në gazeta e të gjitha gjërat tjera”, theksoi Fatmir Hyseni.

Materialet që do të grumbullohen do të inkorporohen në monografinë e teatrit ”Adriana” e cila pritet të promovohet gjatë vitit 2020.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal nënshkruajnë Memorandum për bashkëpunim në Zhvillimin Rajonal

Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Dr. Agron Bajraktari, dhe ministri i Ministrisë të...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img