20,04,2024

TË RINJTË DHE ALKOOLI

Must Read

Me shkas

Nga data 29 deri 31 Korrik ishte planifikuar të mbahet festivali “BeerFest” në Sheshin ”ZahirPajaziti” në Prishtinë, i organizuar nga kompania organizuese “Modus” e udhëhequr nga EkremTahiri, por që në natën e parë ky festival dështoi për shkak të lëshimeve të mëdha  profesionale në organizimin e festivalit. Për këtë arsye Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend  Ahmeti  kishte vendosur të revokojë lejen për festivalin ‘BeerFest’ për ditët 30 dhe 31 Korrik, për shkak të mungesës së kapacitetit nga ana e organizatorëve për të garantuar siguri për numër më të madh të njerëzve (në rrëmujën e madhe në natën e parë kishte mbi 50 të lënduar, në mesin e tyre edhe një vajzë 15 vjeçe, dhe për shkak të pranisë së madhe të rinjve nën moshën 18 vjeçare të cilët ishin në festival, ku  një pjesë e konsiderueshme e të rinjve ishin të dehur.

 

TË RINJTË DHE ALKOOLI

Alkooli dhe alkoolizmi janë shoqërues të pandashëm të njeriut që nga kohërat më të lashta. Pijet alkoolike janë përdorur si ushqim, si ilaç, si pjesë e ritualeve religjioze, si mjete stimulimi, disponimi etj. Megjithatë njerëzit kanë qenë të vetëdijshëm për rreziqet që janë pasojë e konsumimit të alkoolit. Hipokrati ka theksuar se dehja është shkatërrim i paramenduar, i vetëdijshëm, çmenduri.

Fjala alkool (al-kohhlu) është me prejardhje arabe dhe ka disa domethënie: shumë i mirë, që ndez flakë, që qet flakë etj.

Në Spartë, para 3 mijë vjetësh, me dekretin e mbretit, të dehurve ua kanë shkurtuar këmbët. Shteti romak me ligjet e veta ua ka ndaluar konsumimin e alkoolit posaçërisht personave me të rinj se 30 vjeç, pasi është konsideruar se kjo është mosha më e rëndësishme për krijimin e familjes, mosha e pjekurisë së plotë psikike dhe fizike.

Alkoolizmi konsiderohet sëmundje e tretë e botës bashkëkohore, menjëherë pas sëmundjeve të zemrës dhe atyre malinje. Sipas vlerësimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë mesatarisht 3% të popullsisë së botës është e sëmurë nga alkoolizmi.

Përkufizimet

Një kohë të gjatë problemi më i madh rreth përkufizimit të alkoolizmit si sëmundje ka qenë mosekzistimi i qartë i kufirit ndërmjet konsumimit normal të lejuar të alkoolit në shoqëri dhe konsumimit të tepruar të alkoolit.

Përkufizimi i alkoolit është bërë nga pikëpamja biologjike, psikologjike, socio-kulturore etj.

Njëri nga përkufizimet më të rëndësishme është gjithsesi ai i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.Alkoolistë janë individët të cilët konsumojnë pije alkoolike në mënyrë eksesive (të tepruar, të shfrenuara) dhe shndërrohen gradualisht në persona të varur nga alkooli, që manifestojnë çrregullime të hapëta sociale ose veprime të cilat e dëmtojnë shëndetin e tyre shpirtëror a fizik, marrëdhëniet me persona të tjerë dhe qëndrimet ndaj të mirave ekonomike e sociale. Për këtë arsye ata duhet të mjekohen.

Përkufizimi më konkret do të ishte:çdo përsëritje e konsumimit të alkoolit (pa marrë parasysh sasinë dhe kohëzgjatjen), që krijon probleme të theksuara dhevështirësi shëndetësore e sociale, është shenjë e alkoolizmit dhe kërkon ndihmë profesionale.

Alkoolizmi si sëmundje

 

Alkooli është një depresant i sistemit nervor duke ulur ankthin, tensionin apo inhibicionin social. Marrë në sasi mesatare, krijon një gjendje qetësie, e vetëbesimi dhe personi bëhet më i freskët, por nuk ka rritje të aftësive mendore. Sasitë mesatare gjithashtu i rrisin enët gjakut duke sjellë skuqje në lëkurë dhe një ndjenjë ngrohtësie. Me rritjen e sasisë së alkoolit ulet përqendrimi (koncentrimi) dhe kufizohet gjykimi dhe reagimi normal shkon drejt rënies. Në këtë gjendje rritet mundësia për aksidente, sidomos ato automobilistike, por edhe të drejtuesve të makinave të tjera.

Alkoolizmi është sëmundje që formohet gradualisht edhe pse ka përpjekje që ndonjë situatë jetësore të shpallët shkaktare e alkoolizmit (problemet e dashurisë, vdekjet në familje etj.), shkaqet e vërteta janë shumë më të ndërlikuara dhe ato duhet të kërkohen në ndikimin e ndërsjellë të tre faktorëve: të njeriut, të rrethit dhe të alkoolit. 

Dehja

Alkooli është substancë e cila pas konsumimit shumë shpejtë kalon në gjak e nëpërmjet tij në të gjithë pjesët e organizmit. Ka veprim drejtpërdrejt helmues në qeliza, sidomos në mëlçi dhe në tru. Gjendja e organizmit nën ndikimin e alkoolit quhet dehje. Kjo gjendje matet me promilë (trashësia e alkoolit e shprehur me gram në centimetra kub, (g/cm3).Për shembull, kur një person ka 0.5 promilë të alkoolit në gjak, ajo është 0.5 gram në 1000 centimetra kub gjak ( 0.5 g / 1000 cm3 ) .

Te trashësia e alkoolit prej 0,5 promilë në gjak shfaqën shenjat e para të dehjes. Ky është kufiri i lartë ku ende ekziston aftësia për kryerjen efikase të punëve të ndryshme. Ky është edhe kufiri i lejuar për vozitje të automjetit, por meqenëse pjesërisht zvogëlohet aftësia për kryerjen e punëve precize, vozitësve profesionalë nuk u lejohet asnjë sasi e alkoolit në gjak.

Trashësia0,5-1,5 promilë është gjendje gjysmë-dehjeje, në këtë gjendje zvogëlohen aftësitë psikofizike të atij që merr alkoolin.

Trashësia 1,5-2,5 promilë është gjendje dehjeje dhe sjellja e të dehurit bëhet agresive. Te i dehuri është i theksuar me të madhe mungesa e gjykimit kritik. Zakonisht në këtë gjendje alkoolistët mendojnë se mund të bëjnë çdo gjë dhe e humbin kontrollin e sjelljeve. Koha e reagimit është e vonshme, lëvizjet janë të ngadalësuara. Paraqiten vështirësi te të menduarit, te të kuptuarit, të vëmendjes dhe të koncentrimit. Shpeshherë bie shtypja e gjakut dhe shkaktohen vjellje.

Te trashësia2,5-4,5 promilë organizmi bie në komë. Kjo gjendje manifestohet me gjumë intensiv deri në humbje të plotë të vetëdijes. Në këtë gjendje është i nevojshëm intervenimi i ekspertëve mjekësorë, sepse ekziston rreziku nga vdekja.

Trashësia 4,5-5,0 e më shumë promilë është trashësi vdekjeprurësee alkoolit, i cili ndikon në qendrën e frymëmarrjes. Krahas me këtë shkaktohet kolapsi i sistemit kardiovaskular, i cili gjithashtu shkakton vdekjen. Personi i cili konsumon këtë sasi të alkoolit vdes në afat prej 5-10 orësh prej fillimit të komës.

 Të rinjtë

Konsumimi i pijeve alkoolike është mjaftë i përhapur ndër të rinjtë. Kështu, p. sh. në SHBA, në bazë të një hulumtimi 45% të fëmijëve kanë provuar alkoolin para moshës 12 vjeçare, kurse 85% para moshës 17 vjeçare. Në Angli, në bazë të hulumtimit tjetër, 94 % të fëmijëve të moshës 16-19 vjeçare ka konsumuar alkool kohë pas kohe.

Alkoolizmi te të rinjtë ka disa specifika të veçanta. Te një numër i madh i të rinjve gati çdo konsumim i alkoolit është i tepërt dhe i shoqëruar me dehje e me sjellje eksesive.Alkooli konsumohet në shoqëri. Çrregullimet në sjellje nën ndikimin e alkoolit, duke marrë parasysh se kjo ndodh në një periudhë të formimit të personalitetit, shpesh shndërrohen në devijime të përhershme si parakusht për psikopati të ndryshme në vitet e mëvonshme të jetës.

Pasojat shëndetësore

 

Konsumimi i alkoolit për një kohë të gjatë shkakton dëmtime të mëdha në organizëm, të cilat mund të jen trupore (dëmtimi i organeve të brendshme) dhe psikike (çrregullimi i funksioneve mentale dhe gjendjes shpirtërore).

Dëmtimet trupore – konsumimi i alkoolit më së shumti i dëmton këto organe të brendshme: lukthin, zorrët, mëlçinë, (hepatiti dhe cirroza e mëlçisë), zemrën, enët e gjakut, sistemin nervor periferik, lëkurën dhe rrënon për-gjithësisht trupin.

Dëmtimet psikike – kanë të bëjnë me shëndetin mental, domethënë me kualitetin e jetës psikike. Ato çrregullojnë ekuilibrin e brendshëm shpirtëror dhe marrëdhëniet me njerëz të tjerë në bashkësi. Këto pasoja rëndom ndahen në tri grupe: Çrregullimi i funksionevepsikike, ndryshimi i karakterit dhe i personalitetit gjatë gjendjes së alkoolizuar dhe çrregullimet psikike (çmendjet nga alkooli), të cilat janë:

 

  • Deliriumi i dehjes,
  • Demenca nga alkooli,
  •  

Deliriumi i dehjes

Deliriumi i dehjes është çmenduria më e shpeshtë nga konsumimi i tepërt i alkoolit. Shfaqet pas konsumimit intensiv disavjeçar të alkoolit. Faktorët të shfaqjes së dehjes janë: infektimet, lëndimet e kokës dhe zvogëlimi i përgjithshëm i forcës mbrojtëse të organizmit (imunitetit). Deliriumi rëndom shfaqet shkallë-shkallë dhe paraprihet nga gjendja para deliriumit me simptome, si: rraskapitja, dridhja e gishtave, djersitje e rritur, vjellje etj. Pos këtyre simptomave, shfaqet edhe ndjenja e brengosjes, e ngarkesës, e shpesh edhe e pagjumësisë. E tërë kjo shoqërohet me rritjen e shtypjes së gjakut dhe me të rrahura të shpejtuara të zemrës. Te disa raste mund të shfaqën halucinacione te të parit dhe te të dëgjuarit. Deliriumi i dehjes zakonisht shfaqet në mbrëmje dhe gjatë natës dhe shoqërohet me frikë intensive dhe me pagjumësi. Njeriu në këtë gjendje humb ndjenjën e kohës dhe të hapësirës (nuk e di se cila ditë është, cili muaj dhe cili vit dhe as ku ndodhet), mirëpo ruhet orientimi në krahasim me vetveten (e di cili është dhe çka është). Personi i tillë është shumë sugjesibil, lehtë mund të bindet për çdo gjë). Shkaktar i vdekjes është mosfunksionimi i zemrës.

Demenca nga alkooli

Demenca nga alkooli zakonisht është pasojë e shkatërrimit të shpejtuar të qelizave nervore të trurit. Shkatërrimi i qelizave trunore është dukuri normale e pleqërisë, mirëpo te alkoolistët është më i shpejtuar dhe më intensiv. Truri i alkoolistit 35-40 vjeçar mund të këtë dëmtime të cilat hasen te personat e moshës 70-75 vjeçare. Në jetën e përditshme te këta persona është mjaft e theksuar harresa.

 Epilepsia

Është sëmundje që vjen si pasojë e dëmtimit nga konsumimi i tepërt i alkoolit. Karakterizohet me sulme epileptike, të cilat janë shumë dramatike, si për rrethin, ashtu edhe për të sëmurin. Sulmi nganjëherë mund edhe të para-ndihet. Fillon me humbjen e vetëdijes nga se i sëmuri edhe rrëzohet në tokë. Në raste të tilla mund të shkaktohen edhe lëndime, zakonisht të kokës. Pastaj vjen faza e shtangimit të tërë trupit. Sulmi epileptik është i rrezikshëm për jetën për shkak të mundësisë së ngulfatjes. Në qoftë se nuk ofrohet ndihma e shpejtë dhe efikase mjekësore, mund të shkaktohet edhe vdekja. Me terapi efikase dhe me braktisje të plotë të alkoolit sulmet epileptike ndërpriten.

Femra alkooliste – pasojat

Të gjitha pasojat që i përmendëm me lartë vlejnë edhe për alkoolistë të gjinisë femërore, për më tepër konsumimi i alkoolit gjatë shtatzënisë mund të sjellë a normalitet tek fetusi dhe zhvillim të dobët fizik e mendor tek fëmijët. Por edhe sasitë mesatare të alkoolit mund të sjellin abort dhe fëmijë nën peshë apo prapambetje mendore.

 

Agim Arifi

(Autori është Sociolog nga Ferizaj)

 

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Vrasje e mbetur në tentativë në Ferizaj

Me datën 19.04.2024 në ora 17:47 policia rajonale e Ferizajt ka pranuar një informatë se në udhëkryqin e rrugëve...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img