Editorial

Të majtë apo të djathtë


Arton Musliu

Unë jam i lirë! Thotë Norberto Bobbio, autor i librit bestseller “Left and Right: The Significance of a Political Distinction”.Ai për këtë fjali thotë sa ka kuptim dhe është natyralisht e pranueshme, në ndërkohë që pretendon me prepotencë ideore se drejtësia (equality) është teori dogmatike dhe utopiste dhe se drejtësia për secilin dhe për gjithçka është pa kuptim. Pra, nëse themi se unë jam i lirë kemi shprehur një të drejtë për të cilën pajtohen të gjithë, pa dallim. Të majtët e të djathtët. Socialistët e demokratët. Të moderuarit e konzervatorët. Në ndërkohë që përdorimi i fjalës drejtësi është problematik. Sepse, drejtësi me çka, drejtësi në çfarë konteksti dhe drejtësi nën cilat kondita?!

Në këtë kontekst liria është vlerë, natyrisht edhe e drejtë, fundamentale, në ndërkohë që drejtësia (lexo e drejta) është konstruksion juridik dhe socio- politik. Rreth lirisë bashkohemi të gjithë, rreth drejtësisë (të drejtës) edhe mund të ndahemi. Ndarja ideo politike është rrjedhojë e nevojës për drejtësi, përveç se pasojë e domosdoshmërisë për ekzistencë. Siç dihet shteti në kontekste kohore të ndryshme ka evoluar. Ky evolucion përveç tjerash është reflektuar edhe në dinamikat e brendshme të shteteve veç e veç duke qenë se udhëheqja autoritare e shteteve ka prodhuar reaksion qytetar dhe përpjekje për drejtësi. Ndarja ideo politike në atë se çfarë shteti duam fillesat e para i ka në revolucionin francez, me ç’rast ata që ishin për kufizimin e kompetencave të monarkut në Asamblenë Kombëtare Franceze u ulën në anën e majtë, ndërkaq ata të cilët përkrahnin status quo-n dhe ruajtjen e rendit publik u ulën në anën e djatht.

Në ecje të ngjarjeve politike, por edhe me zhvillimin e mendimit ideo politik e kritik, socializmi gëlltiti të majtën duke e apstrahuar në kazanin e saj. Socialistët, por edhe komunistët, ishin të majtë sepse ishin për sajimin e rendit juridik dhe politik të bazuar në pronësinë e përbashkët. Pra prona e përbashkët ishte ajo e cila prodhonte “drejtësi” për të gjithë, duke qenë se pasuria e përbashkët prodhonte edhe mirëqenie. Kjo situatë ekzistoi deri në përfundimin e Luftës së Ftohtë me ç’rast demokracia si sistem politik dhe kapitalizmi si sistem ekonomik triumfuan. Demokraci sepse nuk kishte më vetëm një parti që diktonte tërë jetën politike në një shtet, kapitalizëm sepse nuk kishte më pronësi të përbashkët dhe kishte ekonomi të lirë të tregut.

Mirëpo, edhe përkundër këtyre transformimeve të mëdha politike, e majta dhe socialistët ende ekzistojnë. Vetëm se nën rregulla të reja kushtetuese. E edhe në Kosovë. Dhe ky është një lajm i mirë për të gjithë ne duke qenë se ndryshimi në mënyrën se si e shohim organizimin tonë politik, juridik dhe shoqëror është i dobishëm. Pra, kemi parti të djathta dhe të majta. E majta përpiqet të vë theksin në të drejtat shoqërore, duke minuar kështu rolin e individit dhe familjes, derisa e djathta në të drejtat e njeriut, duke përkrah fuqishëm të drejtat politike dhe civile të njeriut. E majta refuzon religjionin dhe traditën, e djathta i mbron ato. E majta është për ekoniminë e centralizuar/kontrolluar të tregut me ç’rast ata që kan më shumë do të paguajnë më shumë për shtetin duke e aplikuar kështu mënyrën progresive të mbledhjes së tatimeve, në ndërkohë që e djathta mbron me xhelozi parimin e ekonimisë së lirë të tregut. Në rastin e Kosovës kemi kanalizim profan të ideve politke. Këtu, një parti që është deklaruar si e majtë, në kundërshtim me kuptimin e vet këtij koncepti, është orientuar kah religjioni duke qenë se propagon lejimin e shamive për moshën mbi gjashtëmbëdhjetë vjeçare, në ndërkohë që partitë e majta nuk agjitojnë për ide nacionaliste, siç ndodh këtu. Edhe partitë e deklaruara si të djathta nuk kan treguar ndonjë interesim për profilizimin e tyre të qartë duke qenë se qëndrimet e tyre nuk jan koherente.

Në krejt këtë kazan zhvillimesh duhet patur kujdes që ta duam vlerën tonë sublime, shtetin tonë. Ky shtet nuk duhet të shërbej si laborator për eksperimente të askujt. Sepse, të majtë e të djatht, të gjithë, duhet të japim kontributin tonë për shtetin dhe shoqërinë, pa rrezikuar asnjëherë bazat fundamentale të tij, siç janë rendi juridk, demokracia dhe ekonimia e lirë e tregut

To Top