19,04,2024

Shqetësimet e Hyzri Salihut

Must Read

Ai është mësimdhënës i sociologjisë në një shkollë të mesme në Ferizaj, por edhe veprimtar shoqëror. Të paktën prej një viti, kam pasur edhe unë mundësinë të lexoj shkrime të tij, kryesisht përmes Facebook-ut, që trajtojnë çështjen tonë kombëtare.

Kryedëshira e Hyzriut është ajo e shumicës së shqiptarëev edhe sot: krijimi i Shqipërisë Etnike, në kufijtë e saj natyrorë, të bashkuar në një shtet të vetëm demokratik, me një ekonomi dhe ushtri të fortë, plotësisht e gatshme për t’u antarësuar si e barabartë në Bashkimin Evropian.

Bashkimi kombëtar ka qenë ideali i pashuar i qindra mijëra atdhetarëve që e shkrinë madje edhe e flijuan jetën për të. I tillë ka qenë edhe im atë. Veprimtaria e palodhur dhe këmbëngulëse e tyre, sakrificat e mbarë popullit shqiptar, si dhe zhvillimi i marrëdhënieve ndërkombëtare sollën në lindjen e shtetit të pavarur por të cunguar shqiptar më 1912-1913 dhe më tej të Kosovës së pavarur në vitet 1999-2008. Po ashtu, përmirësimi i dukshëm i pozitës së shqiptarëve në Maqedoni dhe Mal të Zi, përpjekjet për më shumë të drejta dhe autonomi në Luginën e Preshevës dhe ato për zgjidhjen e çështjes çame dhe të trevave të tjera shqiptare në Greqi.

Por objektivi i fundit: krijimi i Shqipërisë Etnike si problem madhor, është ende larg, sado që shumëkush nga padurimi dhe dëshira e flaktë kujton se mund të arrihet shumë shpejt. Ndër këta të fundit është edhe mësuesi Hyzri me shokë. Ai mendon me të drejtë, se duke u forcuar politikisht dhe ushtarakisht Shqipëria dhe Kosova, nën përkrahjen e NATO-s, ShBA dhe BE, kombi shqiptar mund t’i bëjë ballë sfidave të kohës sonë, që janë, së pari, agresiviteti rus dhe kërcënimi nga terrorizmi. Prandaj, nënvizon Hyzriu, projekti i Shqipërisë Etnike duhet të përfshihet në strategjinë e NATO-s, ShBA dhe BE, pasi ai është edhe një garanci për një Evropë dhe botë më të sigurtë.

Natyrisht, nuk mund të mos kemi parasysh se ne përballemi me interesa të shumta jo vetëm të fqinjëve tanë tradicionalë, por edhe të aleatëve dhe shteteve të tjera me peshë vendimmarrëse në botë. Serbia ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, në mbështetje të saj janë të paktën pesë vende antare të BE, pastaj Rusia, Kina, India, Brazili e fuqi të tjera botërore. Sikurse tregoi edhe votimi për ta pranuar Kosovën në Unesko, ne nuk gjetëm miratim edhe nga shtete që e kishin njohur pavarësinë e Kosovës, si Japonia, Polonia, Korea e Jugut..Shto këtu dhjetëra vende arabe dhe islamike, përfshi Indonezinë me mbi 200 milionë banorë! Presidenti Obama vërejti se një arsye për këtë është edhe papjekuria e diplomacisë shqiptare, por edhe problemet tona të vetëqeverisjes.

Në këto kushte, lipset së pari që ne shqiptarët t’i forcojmë shtetet tona demokratike ekonomikisht, politikisht dhe ushtarakisht, partitë politike në Maqedoni dhe Mal të Zi të shfaqin më shumë unitet se sa diversitet ideologjik, në mbrojtje të pozitës së shqiptarëve atje, këta të gjithë t’u japin një përkrahje të gjithanshme faktorëve politikë shqiptarë në Luginën e Preshevës dhe në trevat shqiptare në Greqi. Gjithashtu të mobilizojmë tërë diasporën për këtë qëllim.

Të shfrytëzojmë të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare që favorizojnë zhvilimet tona të brendëshme dhe marrëdhëniet me jashtë:

26 qershor 1945
Karta e Kombeve të Bashkuara

10 dhjetor 1948
Deklarata e Përgjithshme mbi të Drejtat e Njeriut

4 nëntor 1950
Konventa Evropiane mbi të Drejtat e Njeriut

19 dhjetor 1966
Pakti Ndërkombëtar mbi Të drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore
Pakti Ndërkombëtar mbi të Drejtat Qytetare dhe Politike

22 nëntor 1969
Konventa Amerikane mbi të Drejtat e Njeriut

1 gusht 1975
Dosja Përfundimtare e Helsinkit

27 qershor 1981
Karta Banjul e të Drejtave të Njeriut dhe e të Drejtave të Popujve (Afrikë)

19 shtator 1981
Deklarata e Përgjithshme e të Drejtave të Njeriut në Islam

14 qershor 1992
Deklarata e Rios mbi Ambientin jetësor dhe Zhvillimin

qershor 1993
Konferenca mbi të Drejtat e Njeriut (Vjenë)

 

Por e theksoj, vetë këto marrëveshje nuk garantojnë paqen në botë, ndonëse i shërbejnë asaj.

Ne duhet të ruhemi nga deklaratat dhe sloganet që nuk na shpien askund, veçse mund të provokojnë lëvizje të nxituara dhe të dëmshme për shqiptarët vetë, sikurse ishte ngjarja e Kumanovës, jo shumë kohë më parë.

Atdhetar nuk bëhesh vetëm duke thërritur me të madhe për Shqipërinë Etnike, duke tundur flamurin e Shqipërisë Etnike, sikurse veproi për ca kohë dhe mandej u shua si flakë kashte Aleanca Kuq e Zi, por duke punuar me zell dhe ndershmëri në profesionin tënd, në arsim, në shendetsi, në ekonomi, në art, në kulturë, në prodhimtari industriale dhe bujqësore, në ushtri e polici, për ta përmirësuar jetën tonë të përbashkët, duke luftuar korrupsionin e qeveritarëve, e politikanëve, e drejtuesve, duke qendruar gjithnjë syçelët, luftarak dhe i gatshëm ndaj veprimtarive armiqësore kundër vendit dhe kombit tonë. Duke marrë pjesë masivisht në votime dhe duke zgjedhur njerëz të aftë, të ndershëm dhe atdhetarë. të mbështesim partitë dhe udhëheqësit politikë jo si tifozë sporti por të vetëdijshëm për përgjegjësinë që shprehim me zgjedhjen tonë. Të marrim shembull për këtë nga vendet e përparuara të Evropës.

Shkruar nga Bardhyl Selimi 

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal nënshkruajnë Memorandum për bashkëpunim në Zhvillimin Rajonal

Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Dr. Agron Bajraktari, dhe ministri i Ministrisë të...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img