Ferizaj

Shfaqja “Kur hana del”, premierë në teatrin “Adriana” të Ferizajt


Publikuar më:


Të hënën, 1 tetor 2018, në teatrin “Adriana” të Ferizajt do të mbahet premiera e shfaqjes “Kur hana del”, me regji të Ben Apollonit. Kjo dramë është shkruar nga Ag Apolloni dhe paraqet historinë tragjike të luftës së fundit në Kosovë dhe fatet e personave që kanë humbur familjarët, por edhe mendjen.

E vendosur në një spital psikiatrik, ngjarja ndërtohet mes dy simboleve, hënës (që simbolizon luftën, tragjedinë, errësirën) dhe diellit (që simbolizon shpresën, jetën, lirinë). Drama “Kur hana del”, prej në titull sugjeron lidhje të drejtpërdrejtë me traditën shqiptare, gjë që përforcohet me motivin e besës, baladat shqiptare dhe këngët shqiptare, ndërsa storja lidhet me kontekstin historik të luftës në Kosovë dhe me shpalljen e Pavarësisë.

Drama është e konceptuar në dy pjesë. Në të parën jepet përfundimi i luftës dhe shpalosja e tragjedive të personazheve, ndërsa në të dytën, shpallja e Pavarësisë dhe fundi tragjik i Hanës, nuses që humbi burrin në luftë. Kjo është një histori e trishtë që përçon jo vetëm fatin tragjik të të vrarëve të luftës, por edhe të familjarëve që nuk e përballuan humbjen e tyre. “Kur hana del” ndërtohet si tragjikomedi, pasi rrëfimet tragjike të personazheve shoqërohen me veprimet komike të tyre. Izolimi i tyre në një spital psikiatrik, nata dhe hëna, loja e shahut, por edhe mosrealizimi i dashurisë mes Lulit dhe Hanës, nënkuptojnë triumfin e vdekjes mbi jetën, ku e para ia bën mat të dytës.

Në këtë shfaqje do të luajnë: Ali Krasniqi, Edona Berisha-Bekteshi, Vjosa Abazi, Dashuri Rexhepi, Jajush Ramadani, Arben Marevci, Sherif Bega, Mevlan Saraçi, Gresa Gashi, Ekrem Jakupi. Skenografia e shfaqjes është bërë nga Lebibe Topalli, kostumografia nga Pranvera Sylejmani, ndërsa muzika nga Shaban Ratkoceri. Reprizat e shfaqjes do të mbahen me 2 dhe me 3 tetor. /KultPlus.com

To Top